E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tifozët e Gramozit e kanë inatin me drejtuesit e ekipit

Nga Kristi Lilo

Sezoni i fundit ishte tejet zhgënjyes për ekipin kolonjar, madje edhe në krahasim me ata që ka luajtur në Kategorinë e Dytë. Gramozi nuk ishte në gjendje ta fitonte ndeshjen shtesë me Naftëtarin dhe sezonin e ardhshëm është i detyruar të marrë pjesë në kategorinë e inferiore. Eshtë për të ardhur keq, sepse për këtë ekip është investuar shumë sezonet e fundit, madje ai u ngjit për herë të parë në Superligë dhe luajti një miqësore me Realin e Madridit.

Shifrat e sezonit flasin qartë. Fillimi ishte i shkëlqyer, me 6 pikë në 2 ndeshjet e para, por vazhdimi ishte mjaft negativ, sidomos faza e dytë, ndaj dhe fundi ishte tepër i hidhur për të gjithë sportdashësit kolonjarë. Dhe shkaku kryesor është mbështetja e dobët financiare, sepse dihet që çdo gjë varet nga ana ekonomike.

Një shkak tjetër i dështimit është përvoja e pakët e shumë lojtarëve të afruar në ekip. Gjatë ditëve të fundit tifozët e Gramozit kanë qenë të nervozuar dhe e kanë shprehur hapur pakënaqësinë ndaj drejtuesve të bashkisë, që nuk dhanë fondin e duhur për ekipin. Edhe pse kanë kaluar disa ditë nga humbja me Naftëtarin, inati i tifozëve nuk ka rënë.

Për ditën e diel ishte premtuar nga bashkia se do të niseshin disa autobusë drejt Kavajës, por ky premtim nuk u mbajt. Më shumë se 300 tifozë kanë pritur për disa orë, por janë shtangur, kur kanë marrë lajmin se nuk do të ketë autobusë falas për në Kavajë. Më pas ata kanë udhëtuar me furgonë dhe makina private drejt Kavajës.

Tani e rëndësishme është që Gramozi të ringrihet dhe përgatitjet duhet të fillojnë që tani, për të mos qenë më shumë se një sezon në Kategorinë e Dytë. Futbollistët që luajtën sezonin e fundit kanë deklaruar se nuk do të kthehen te Gramozi, nëse financat nuk do të jenë të sigurta. Dhe që të sigurohen financat për sezonin e ardhshëm duhet filluar puna që tani nga drejtuesit e klubit dhe bashkia e qytetit.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›