E Shtunë, 31 Tetor 2026

Elbasani ka nevojë për lëvizje konkrete, jo vetëm projekte

-Nga Elton Karaj

Nga skuadra verdheblu janë larguar Mërtiri, Sekseni dhe Galica, por edhe titullarë të tjerë mund të ikin, nëse drejtuesit nuk veprojnë në kohë

Te skuadra e Elbasanit situata është e paqartë për momentin dhe kjo do të thotë se shumë nga futbollistët e sezonit të fundit mund të largohen. Gjithçka ndodh për vetë faktin se ende nuk është zgjidhur ngërçi ekonomik për këtë skuadër. Shumë nga titullarët verdheblu të sezonit të fundit pohojnë nën zë se do ta lënë Elbasanin, nëse nuk do të kenë garanci financiare.

Në fakt, të gjithë shpresojnë për  bashkëpunimin midis bashkisë së qytetit dhe financuesit kryesor të skuadrës, Arben Lazes, për krijimin e një grupi të fortë, që do të ishte pretendent serioz për kthimin në Superligë, por deri tani nuk ka ndonjë sinjal në këtë drejtim. Në këto kushte, futbollistët janë të detyruar të presin ndonjë lajm nga ana e presidencës verdheblu, por kuptohet që vonesat mund të bëjnë që ata të mendojnë për ndonjë aventurë të re.

Largimet Për momentin mësohet se nuk janë më pjesë e Elbasanit mbrojtësat Ilirian Mërtiri dhe Ardi Sekseni, si dhe sulmuesi shkodran, Elhan Galica. Të tre këta futbollistë e kanë bërë të qartë pozicionin e tyre që në fund të kampionatit, kur kanë thënë se nuk do të jenë më pjesë e skuadrës verdheblu. Largimi i tyre krijon shumë përobleme për Elbasanin, sepse të tre kanë qenë të rëndësishëm për formacionin e trajnerit File. Mund të ketë edhe largime të tjera, por që mund të zyrtarizohen gjatë ditëve në vazhdim.

Projekti Drejtuesit elbasanas kanë bërë të ditur kohët e fundit se kanë një projekt për skuadrën e re, që do të forcohet me futbollistë cilësorë, por më parë ata duhet të zgjidhin problemin financiar. Kjo javë mund të jetë vendimtare për këtë skuadër, pasi futbollistëve u është premtuar se do të marrin rrogat e prapambetura. Eshtë folur për një Elbasan, që sezonin e ardhshëm do të jetë pretendenti kryesor për kthimin në Superligë, por ende nuk ka asgjë në horizont.

Çdo gjë mund të ndodhë dhe duhet pritur për të mësuar se çfarë do të bëhet me Elbasanin, që për të arritur objektivin madhor, nuk duhet të ketë probleme si sezonin që shkoi. Pa afrimin e disa elementëve cilësorë me përvojë, verdheblutë nuk mund të kenë garanci, sepse të rinjtë e talentuar e kanë të vështirë ta përballojnë ashpërsinë e Kategorisë së Parë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›