Lushnja, gjithçka në ajër për momentin
Pritet me shumë interes analiza e fortë e paralajëmruar nga presidenti Tushe, i cili ka thënë se do të ketë ndryshime në skuadër
Ende nuk ka asnjë shenjë jete në ambientet e klubit verdhejeshil, pas asaj mbylljeje aspak dinjitoze të sezonit të fundit, ku Lushnja shpërdoroi dy mundësi për ngjitjen në Superligë. Skuadra e drejtuar nga trajneri Malko nuk mundi të fitonte me Kukësin në stadiumin Roza Haxhiu dhe as me Apoloninë në stadiumin Niko Dovana. Kështu, përpjekjet për Superligën do të nisin nga e para sezonin e ardhshëm, për të cilin presidenti Fatos Tushe ka garantuar se skuadra do të jetë me fortë.
Statistikat Sezoni që lamë pas nisi me fitore për Lushnjën, por më pas erdhën disa rezultate zhgënjyese. Pikë të humbura edhe në fushën e vet dhe me kundërshtarë relativisht të lehtë. Kjo bëri që javën e 7-të drejtimin e skuadrës myzeqare ta merrte Sajmir Malko, pas dorëheqjes së Ramadan Baballëkut, që nuk pati sukses. Edhe Malko e nisi me humbje në fushën e Luftëtarit, por më pas arriti 8 fitore radhazi dhe seria e tyre u ndërpre javën e fundit të fazës së pare, pikërisht në fushën e Kukësit (3-1).
Lushnjarët ishin brenda objektivit në fund të fazës së parë, por nuk ndodhi e njëjta gjë në fazën e dytë. Edhe pse e luajtën çdo ndeshje si finale, ata lanë shumë pikë aty ku nuk e prisnin, si në Mamurras, Gramsh, Elbasan dhe Lezhë. Megjithatë, në fund ata kishin dy mundësi të mira për ta arritur objektivin, por nuk ia dolën.
Duhej një fitore 3-0 me Kukësin dhe ndeshja u mbyll në barazim pa gola, ndërsa në play-off me Apoloninë, në kushte të barabarta, lushnjarët u mundën 3-0 në Niko Dovana. Dy javët e fundit kanë qenë mjaft dëshpëruese për futbollistët lushnjarë dhe tifozërinë e tyre të zjarrtë. Ishte një sezon, që kishte momentet e tij të bukura, por në fund nuk u arrit qjo që kërkohej për të tretën herë radhazi: Superliga.
Analiza Në ambientet sportive lushnjare pritet analiza e fortë e premtuar nga presidenti i skuadrës dhe njëkohësisht kryebashkiaku i Lushnjës, Fatos Tushe. Sipas tij, në këtë analizë do të vihen pikat mbi i, por ende nuk ka një datë për zhvillimin e saj. Enigma e parë që pritet të zbardhet është ajo e trajnerit. Pra, nëse do të vazhdojë Malko të ketë besimin e presidentit Tushe apo do të jetë një tjetër në vend të tij.
Më pas do të mësohet dhe e ardhmja e futbollistëve, pasi presidenti i Lushnjës ka paralajmëruar ndryshime, duke u shprehur se janë disa, që nuk e mbajnë peshën e fanellës lushnjare. Gjithashtu, ai ka premtuar mbështetje maksimale për Lushnjën e sezonit të ri.
