Sinani: Luftëtari, të gjitha bateritë për Superligën
Mbrojtësi gjirokastrit, Besmir Sinani, shpreson që ekipi i tij të jetë sa më i qëndrueshëm në kategorinë e më të mirëve
Mbrojtësi gjirokastrit, Besmir Sinani, ka realizuar 4 gola, 2 prej të cilëve rezultojnë margaritarë, sepse i ka shënuar në ndeshjet Luftëtari-Lushnja 1-0 dhe LuftëtariKukësi 1-0. Pra, i ka dhënë dy fitore në dy ndeshje ndër më të rëndësishmet në Gjirokastër. Janë gola, që përveç rolit të tij në qendër të mbrojtjes, e nxjerrin atë një ndër lojtarët më thelbësorë të ekipit të tij.
Tre janë vendësit, të cilët mbajtën peshën më të rëndë te Luftëtari gjatë sezonit të fundit: Sinani në mbrojtje, Devolli në mesfushë dhe Nora në sulm, pasi Stoja dhe Shalari ishin të pafatë. I pari u dënua dhe më pas u dëmtua, kurse i dyti u dëmtua dhe luajti pak. Braho luajti më shumë si zëvendësues ose i zëvendësuar, ndërsa Lluka shpërtheu vetëm fazën e dytë.
Vendësit e tjerë nuk patën aktivizimin e pretenduar dhe me siguri nuk kanë mbetur të kënaqur. Sidoqoftë, përpara ka sfida më të vështira se ato që kaluan dhe patjetër që secili duhet të përgatitet edhe individualisht, që të jetë në gjendje ta përballojë konkurrencën e pamëshirshme.
Eshtë e qartë se ekipi që do të formohet për Superligën nuk do të ketë vetëm gjirokastritë, por edhe shumë të tjerë, pasi edhe në Kategorinë e Parë, gjatë fazës së dytë, ishin 9 të tillë (4 shkodranë, 3 tiranas, 1 vlonjat dhe 1 beratas), kurse në të parën ishin dhe 2 të tjerë (1 shkodran dhe 1 elbasanas), pra 11, aq sa dalin në fillim të çdo ndeshjeje në fushë.
Sinani Besmir Sinani, i cili ka lindur më 23 maj 1985 (Urime për datëlindjen), thotë se suksesi i arritur nuk do të kishte kuptim, nëse Luftëtari nuk do të tregojë vlera edhe në Superligë: Kam 7-8 sezone, që vesh fanellën e të rriturve të Luftëtarit. Pas përfaqësimit në Superligë sezonin 2006-2007, ramë në kategorinë inferiore dhe më pas bëmë përpjekje për tu rikthyer, por vetëm sezonin e 5-të e arritëm suksesin. Tani nuk duhet ta humbasim mundësinë e qëndrimit në Superligë, siç na ndodhi sezonin që përmenda.
Drejtuesit tanë e kanë përvojën e duhur për organizimin, menaxhimin, financimin dhe gjithë problemet e tjera që lidhen me formimin e një ekipi luftarak, në kërkim të realizimit të objektivit. Kështu, mendoj se gjërat do të shkojnë ashtu si duhet dhe jo si para 5 sezonesh, kur në fakt ekipi në asnjë mënyrë nuk duhej ta humbiste Superligën për nga aftësitë sportive, sepse ishte mjaft i mirë. Kujtoj se fazën e parë i fituam të gjitha ndeshjet në Gjirokastër.
Por këto janë të kaluara dhe tani duhet që të gjitha bateritë të përqendrohen në formimin e ekipit për sezonin e ri. Eshtë e qartë, që nuk jam unë ai që do ta formoj ekipin, por mund të them se ata që do ta përbejnë duhet të jenë me karakter të fortë dhe ta ndjejnë peshën e fanellës së Luftëtarit. Të gjithë duhet të luftojmë për ta bërë më të rëndë atë.
25 ndeshje
të plota ka luajtur Besmir Sinani gjatë kampionatit të fundit. Në 2 ndeshje është aktivizuar me kohë të pjesshme, ndërkohë që ka munguar 3 herë për shkak të 1 kartoni të kuq dhe 6 të verdhëve
Asnjë kontratë e firmosur deri tani
Besim Brahimi, sekretari sportiv i Luftëtarit, ka pohuar dje se ende nuk është firmosur asnjë kontratë me ndonjë futbollist. Jemi në fazën e bisedimeve, si me pretendentët për trajnerë dhe futbollistët që ishin, ashtu edhe me ata që duam të marrim, por edhe me sponsorët. Aktualisht po punojmë programin ekonomik për sezoni e ri, – ka thënë sekretari Brahimi.
