De Biazi: Ndeshje e bukur Lika në pjesën e parë dhe Muzaka në të dytën më lanë mbresa, të tjerët
Një ndeshje e bukur, një ndeshje e denjë që ka respektuar kampionatin dhe futbollin shqiptar e në fund një ndeshje që na ka zbavitur. Me vetëm tri fjali në një intervistë dhënë për Supersport, trajneri i kombëtares, De Biazi, ka dhënë gjithçka që mund të thoshte për superndeshjen e kampionatit. Duke iu referuar lojës, trajneri i kuqezinjve është shprehur. Në pjesën e parë Tirana u duk më e vendosur në fushë dhe pati disa momente të mira, por që nuk i shfrytëzoi. Në pjesën e dytë ishte Skënderbeu që luajti më mirë, duke shfrytëzuar dy momente mjaft të mira dhe duke fituar ndeshjen. Në fund mund të them që ishte një fitore e merituar e skuadrës së Skënderbeut. E natyrisht që, pavarësisht ndeshjes, pavarësisht shikimit të ndeshjes, gjë e cila pak i intereson trajnerit të kombëtares shqiptare, mendja e tij është te futbollistët që mund të jenë ose janë kandidatë të kombetares. Me shumë kortezi, trajneri është shprehur: Në pjesën e parë kam parë një formë mjaft të mirë të Gilman Likës, ndërkohë që në të dytën është ngritur mjaft edhe Gjergji Muzaka. Të tjerët, për kortezi, po them që ishte një ndeshje mjaft e bukur dhe unë jam zbavitur. E thënë më troç, me përjashtim të këtyre dy futbollistëve, asnjë tjetër nuk më ka rënë në sy. Një intervistë kjo e dhënë për ndeshjen Skënderbeu-Tirana, e cila gjithsesi i ka dhënë një kënaqësi trajnerit të kombëtares shqiptare, De Biazi, ashtu sikundër të gjithë ne që e kemi ndjekur e kjo nuk është pak.
