Kukësi shpartallon Vlorën, por kufjet e dëshpërojnë
Kukësi Vlora 6-1
Shënues: Malo 1, 87, Mziu 9, 72, Hamzai 18, Prençi 87 / Hoxha 36(11-metërsh)
Kukësi: Koçi, Lila, Prençi, Renxa (Memishi 65),Pashaj (Rexhepi 32), Mziu, Thana, Xhetani, Lena (Syla 60), Malo, Hamzai.
Trajner: Sh.Berberi.
Vlora: Sadikllarri (Hasanaj 89), Zeqiri, Gjika, Gjondeda, Zholi, Hoxha, Prifti, Xhelili, Dalipaj(Ruçaj 70), Veshaj, Cerova.
Trajner: G. Mezani
Gjyqtarë: L.Mustafaraj, A.Nase, E.Shehu (Tiranë)
Karton i verdhë: Rexhepi, Lila, Prifti
Kukësi ka mposhtur në të gjitha drejtimet Vlorën, ndërkohë që kufjet e kanë dëshpëruar, pasi rivalët kanë fituar në transfertë, madje Lushnja në sfidën e Kavajës. Këto ndeshje janë ndjekur me anë të radiove dhe celularëve nga mijëra tifozë, të cilët kanë shpërthyer në brohoritje, kur ka barazuar Iliria dhe më pas Besa. Vlonjatët kishin ardhur në Kukës të bindur në humbje.
Goli i parë për kuksianët është shënuar sapo është shkelmuar topi nga qendra. Aksioni i parë është mbyllur me gol nga Malo, që ka shënuar nga afër, pas një rrëmuje në portës e Vlorës, pas një gabimi të mbrojtjes mike. Kështu, tabloja sinoptike për këtë ndeshje ishte një goleadë për Kukësin. Megjithatë, miqtë janë kundërpërgjigjur me Veshajn, por portieri ka pritur në pozicion.
Tashmë kronika e ndeshjes regjistron vetëm gola. Në të 9-ën Mziu, i pambuluar nga mbrojtja, ka dyfishuar rezultatin. Një minutë më vonë Malo e kalon topin në formë parabël drejt portës së boshatisur, por jashtë. Goli i tretë për vendësit shënohet nga Hamzai, i cili shfrytëzon një top brenda zones. Në të 30-ën Malo, i vetëm, nuk shënon përballë Sadikllarit, që ndërhyn me këmbë.
Vlora shkurton diferencën në minutën e 36-të, kur Hoxha nuk gabon nga pika e bardhë, duke ekzekutuar 11-metërshin e fituar nga Dalipaj. Në të 40-ën Malo i ka të gjitha mundësitë të shënojë golin e 4-t, ku vetëm dy metra me portën e boshatisur i merret topi nga mbrojtja mike. Pjesa e dytë nis me një rast për miqtë, ndërkohë që kuksianët, me anë të Malos dhe Hamzait humbasin raste të pastra.
Gjuajtjet e tyre, edhe pse pranë portës, përfundojnë jashtë kuadratit. Vendësit nuk kanë të ngopur dhe Mziu shënon golin e dytë personal dhe të katërtin për ekipin e tij. Janë sërish kuksianët që e kërkojnë golin, por portieri Sadikllari grushton bukur një gjuajtje të Malos me kokë, ku është dëmtuar. Goli i 5-të shënohet nga mbrojtësi Prençi, i cili shfrytëzon një kros në zonë.
Malo vulos rezultatin në 6-1 vetëm dy minuta para mbarimit të ndeshjes, pas një gjuajtjeje me kokë me portën e boshatisur. Në minutën shtesë Hamzai ka mundësi të shënojë golin e 7-të, por portieri i sapofutur në lojë, Hasanaj, grushon bukur. I gjithë takimi përfundon 6-1.
Trajnerët
Shahin Berberi, trajner i Kukësit: Ishim përgatitur për ta fituar këtë ndeshje me rezultat të thellë dhe ia arritëm qëllimit, pasi futbollistët i realizuan detyrat. Tani do të përgatitemi për sfidën e vështirë në Himarë. Jo se nuk na interesojnë tashmë rezultatet e rivalëve, por në radhë të parë na intereson rezultati ynë.
Gentian Mezani, trajner i Vlorës: Kemi një ekip tërësisht të ri dhe nuk pretendonim ndonjë rezultat pozitiv në këtë ndeshje, pasi dihet forca e Kukësit, që qëndron me meritë në vend të dytë. I uroj ekipit të Kukësit suksese deri në ngjitjen në superligë.
