De Biazi: Si e ndryshova Shqipërinë në një vit

Xhani de Biazi
Shqipëria ka ndryshuar shumë në një vit dhe sot është më e fortë dhe më e ekuilibruar. Ky është përfundimi i trajnerit të Kombëtares, i cili pas ndeshjes miqësore me Kamerunin në Gjenevë i ka bërë një “skaner” vitit 2012, duke thënë se skuadra kuqezi ka ndryshuar për mirë dhe se në të ardhmen do të jetë akoma më kompakte.
Analiza- “Jam i bindur se sot Shqipëria është një skuadër më e ekuilibruar. Nëse i referohemi ndeshjes së parë, asaj të luajtur më 29 shkurt në Gjeorgji, ku unë e njihja shumë pak skuadrën, mund të them se sot kemi një skuadër ndryshe. – ka deklaruar trajneri italian në konferencën për shtyp – Kemi një skuadër ndryshe, sepse gjatë një viti kemi një bilanc pozitiv sa i përket rezultatit të ndeshjeve, por edhe bilancit të golave. Kemi shënuar 9 gola dhe kemi pësuar 8. pra kemi pësuar më pak se një gol për ndeshje. Skuadra është e balancuar dhe ka nisur të vërë në zbatim ‘ne bëjmë, ne mundemi, në luftojmë, ne mendojmë’ duke hequr dorë nga motoja ‘unë bëj, unë di, unë mundem, unë provoj’. Dua të them se jemi një skuadër më solide. Jemi më mirë, sepse tani kemi formuar një grup prej 36 futbollistësh, sepse jo vetëm që kemi rikuperuar lojtarë të rëndësishëm si Curri dhe Vangjeli, por kemi testuar edhe futbollistë të rinj. Nëse Shqipëria deri një vit më parë kishte si objektiv primar të sulmonte topin dhe të mos e lejonte kundërshtarin ta vinte nën presion, sot kjo skuadër jo vetëm që sulmon topin, por edhe e qarkullon mirë atë. Kjo ka ardhur falë një ekuilibri që kanë gjetur repartet mes tyre”.
Të rinjtë – “Kur mora drejtimin e Shqipërisë, kjo skuadër ishte në një tranzicion të plotë, sepse ishte larguar Lala, Skela, Beqaj e Duro. Ishte larguar edhe Bushi (qesh…bëj shaka). Na u desh të kërkonim lojtarë dhe mendoj se i kemi gjetur ata. Janë afruar Mavraj, Meha, Kukeli, Berisha, Sadiku, Arapi, Vajushi, Bala dhe Zeqiri. Janë përmirësuar ndjeshëm Roshi dhe Sabien Lilaj. Pra jemi një skuadër që ka të paktën nga dy futbollist për çdo rol dhe mbi të gjitha jemi një skuadër që lufton shumë dhe përpiqet deri në fund atë që kërkon trajneri. Mua më kënaq tej mase kjo gjë. Unë nuk e di të them se deri ku do të arrijmë, por di të them se po ndërtojmë diçka të mirë dhe me një të ardhme të madhe. E them këtë sepse kemi disa futbollistë që janë në kulmin e tyre si Cana, Mavraj, Lila, Kukeli dhe Agolli. Kemi disa të tjera si Bogdani dhe Bulku që kanë shumë eksperiencë, dhe kemi gjithashtu disa të rinj të talentuar si Sadiku, Vajushi e Roshi që mund të bëjnë gjëra të mëdha në të ardhmen. Po ju them se kjo skuadër është fryt i punës dhe impenjimit të madh nga ana e stafit, nga ana e vetë lojtarëve dhe e bashkëpunimit të ngushtë që kemi pasur me FSHF-në. Po ju them gjithashtu se skuadra ime është tepër demokratike dhe se aty luajnë gjithnjë atë që e meritojnë dhe ata që janë më në formë. Nuk kam pasur kurrë ndërhyrje, përkundrazi kam pasur gjithnjë një mbështetje të madhe nga federata”, ka deklaruar trajneri.
Katania e Apoeli duan Çanin, Bazeli piketon Sadikun
Në fokusin e klubeve të ndryshme europiane janë vënë sulmuesit Edgar Çani dhe Armando Sadiku. Miqësorja e fundit e Shqipërisë kundër Kamerunit bëri që të ketë një dyndje menaxherësh në stadiumin e Gjenevës. Burime të sigurta të “Panorama Sport” pranë agjentëve, treguan dje se përfaqësues të klubit italian të Katanias dhe atij qipriot të Apoel Nikosias kanë qenë në stadium enkas për Çanin. Ky i fundit pritet të prishë kontratën me Polonia Varshavën, ndërkohë që interesim për të ka edhe nga dy klube angleze, por emrat e tyre nuk bëhen të ditur për efekt tratative. Deri më tani bisedimet mes palëve janë në fazën fillestare. Nga ana tjetër, për Sadikun, i cili duhet thënë se është i shumëkërkuar, së fundmi ka dalë në skenë edhe Bazeli. Dje mediat zvicerane konfirmonin se klubi kampion në fuqi kërkon shërbimet e sulmuesit të Luganos. Më parë për Sadikun janë përfolur Borusia Dortmund, Mynih 1860, Fiorentina dhe Siena, të cilat interesohen për 20-vjeçarin. Gjithçka tashmë është në dorë të Luganos, klubit që disponon kartonin e talentit shqiptar.
LEONARD KARAJ