De Biazi ngjesh mesfushën, në sulm Bogdani
Trajneri i Shqipërisë kërkon të neutralizojë repartin më të fortë të Zvicrës, ku ligjin e bëjnë Xhaka dhe Shaqiri
Formacioni fitues mund të ndryshohet dhe këtë gjë do të bëjë edhe trajneri i Shqipërisë, Xhani de Biazi, për ndeshjen e nesërme kundër Zvicrës. Italiani nuk do të mbajë as formacionin që startoi kundër Qipros, por as atë që në minutat e fundit solli fitoren 3-1.
Në takimin e dytë, trajneri do të ketë mundësi të plota zgjedhjeje, pasi tani i gatshëm është edhe Ansi Agolli dhe pikërisht nga ky do të nisë ndryshimi i parë. Ai pritet të zëvendësojë Emiljano Vilën, por në fushë do të luajë nga e majta, në pozicionin që të premten u mbulua nga Andi Lila. Ky i fundit zhvendoset në krahun e djathtë, përpara Dallkut, në vend të Vilës.
Kavajasi zhvilloi një ndeshje të mirë me Qipron, duke qenë i saktë në mbrojtje, por nuk ishte vetvetja në daljet në sulm, një e metë që me vendosjen nga e djathta korrigjohet plotësisht. Po ashtu, me vendosjen e Agollit nga e majta, në rolin e tij natyral, De Biazi siguron një tjetër piston në anësore dhe mbështetje të fortë për Mehën, i cili mund të mendojë më tepër për organizimin e lojës.
Pesë mesfushorë
Të paktën në letër, do të shihet e njëjta Shqipëri solide në prapavijë, si me Qipron, me synimin për të mos lejuar që zviceranët të organizohen. Pika më e fortë e Zvicrës është pikërisht mesfusha, ku regjisori është 19-vjeçari shqiptar Granit Xhaka. De Biazi ka vendosur ta përforcojë atë, duke shtuar një lojtar më tepër, pikërisht Jahmir Hykën, i cili luan në shtëpinë e tij.
Në këtë mënyrë, kuqezinjtë do të kërkojnë të zotërojnë repartin duke aktivizuar Bulkun para mbrojtjes, Kukelin para tij, si pikë lidhëse me Hykën e avancuar, ndërsa nga krahët pritet të jenë Meha dhe Lila. Ndërkohë, De Biazi ka edhe kandidatura të tjera të forta për tu aktivizuar në krahë, si Vila, Gilman Lika dhe Odise Roshi, të gatshëm për të hyrë në çdo moment të lojës.
Dilema e sulmit
Tre golat e Shqipërisë u shënuan nga tre sulmues, megjithatë vetëm njëri prej tyre do të luajë si titullar në Lucernë dhe mundësitë më të mëdha i ka Bogdani. Arsyeja është se 35-vjeçari mbetet më i përshtatshmi për të tërhequr skuadrën përpara e për ti lehtësuar presionin pjesës tjetër të skuadrës. Është një rol që e ka kryer shumë herë, ndërkohë që nuk ka harruar as të shënojë. Salihi nuk është tipi i sulmuesit që bën një gjë të tillë, duke qenë një nuhatës zone, ndërsa Sadiku ka si pengesë mungesën e përvojës. Edgar Çani është kandidati që vjen pas Bogdanit dhe dilema e De Biazit, të paktën deri dje, ka qenë pikërisht për njërin nga këta të dy, ndërkohë që sulmuesi i pesë, Ahmed Januzi, duket se edhe një herë do ta ndjekë ndeshjen si spektator.
Formacioni i mundshëm
4-5-1
Ujkani
Dallku Cana Mavraj Agolli
Bulku Kukeli
Lila Hyka Meha
Bogdani
Porta
De Biazi nuk ka dhënë sinjale se mund të bëjë ndonjë ndryshim të mundshëm në portë, ndonëse Samir Ujkani nuk të jep ndjesinë se mund ti kesh shpatullat të ngrohta. Portieri kuqezi, autor i disa gafave të rënda në kualifikueset e kaluara, nuk mund të quhet fajtor për golin e pësuar nga Qipro, megjithatë nuk mund të thuhet as se nuk kishte çfarë të bënte, duke qenë tepër statik. Me kombëtaren, Ujkani vazhdon të jetë larg formës që shfaq në Serinë A, pavarësisht se në kampionatin aktual ka pësuar gjashtë gola, në situata ku vërtet nuk kishte çfarë të bënte.
Stërvitja
Kombëtarja ka bërë dy seanca stërvitore dje, paradite dhe në mbrëmje. De Biazi ka punuar me gjuajte në portë e kuadrate, pa zhvilluar ndeshje brenda grupit. Të pranishëm kanë qenë të gjithë dhe askush nuk ka pasur probleme. Kuqezinjtë do të bëjnë edhe një stërvitje sot në mëngjes, ndërsa në orën 11:00 do të nisin fluturimin drejt Lucernës.
