E Diel, 1 Nëntor 2026

Nikolin Çoçlli U kërkoj falje tifozëve të Partizanit, paguam mendjemadhësinë

Nga ILIR CARA

Për trajnerin e të kuqve ,ndaj Butrintit ndodhi më e keqja që kishin parashikuar, por ai ka besimin e plotë të drejtuesve dhe beson se skuadra do të reagojë menjëherë

24 orë pas humbjes 3-0 me Butrintin në kryeqytet trajneri i Partizanit, Nikolin Çoçlli, ende nuk e beson se si një ekip pretendent transformohet totalisht në kuadrin e një jave. Sipas njëshit të pankinës së kuqe, ndaj sarandjotëve ndodhi më e keqja që ata kishin parashikuar, fatura e së cilës rëndon shumë në objektivat e skuadrës.

Për trajnerin në këtë disfatë ndikoi mendjemadhësia dhe marrja lehtë e ndeshjes nga ana e ekipit, si dhe liderat nuk arritën të transmetonin vlerat në fushë. Trajneri pohon se nuk dihet i rrezikuar, pasi gëzon besimin e plotë të drejtuesve dhe shpreson se reagimi do të jetë që në ndeshjen e radhës me Elbasanin. Nëse me fitoren në Velipojë  zgjuan tifozët, me dështimin ndaj Butrintit, i humbën ata.

Trajneri Çoçlli në emrin e vet, por edhe të gjithë ekipit të Partiznait, u kërkon falje tifozëve për atë turp të Selman Stërmasit. Edhe 24 orë pas ndeshjes nuk arrij ta kuptoj se si e pësuam nga e keqja që ne kishim parashikuar. Që në seancën e parë u pata thënë lojtarëve që Ada iku, të përqendrohemi te Butrinti, pasi ky takim është më i vështirë. Pra më vjen inat pse të ndodhë kështu? Duhet të ishim ne ata që duhet të luanim qetë, por realisht miqtë bënë çfarë deshën.

Duke parë premierën me Adën kisha shumë besim te grupi, por një javë më pas ata u shthurën, dukeshin të pamotivuar dhe e morën lehtë ndeshjen. Më keqja ishte që ndonëse e pësuam golin shpejt, futbollistët nuk kishin forcë për të reaguar si duhet. Prandaj, ata duhet ta kenë të qartë se çfarë uniforme mbajnë veshur dhe që ta meritojnë duhet ta tregojnë në fushën e lojës, por me atë që ndodhi me Butrintin ajo nuk u shkon përshtat.- u shpreh së pari trajneri i Partizanit, Nikolin Çoçlli.

I zhgënjyer nga lojtarët me eksperiencë Pakënaqësia e trajnerit është e madhe, por më shumë ai e ka me futbollistët me eksperiencë, që ndodhet në të tre repartet, pasi ata nuk përcollën vlera tek grupi. Para ndeshjes u thashë lojtarëve se sfida fitohet duke fituar dyluftimet ndaj kundërshtarit, por ishin sarandjotët ata që fitonin çdo dyluftim në fushë.

Butrinti bëri një lojë të thjeshtë dhe të bukur, gjë të cilën kërkova nga ekipi, dhe ata morën një rezultat historik, që për Partizanin vë shumë pikëpyetje. Në ekip kemi lojtarë me eksperiencë në çdo repart. Ata nuk u treguan të aftë jo vetëm që të jepnin ndikimin te grupi i të rinjve, por ata nuk dhanë edhe nga vetja e tyre. Kjo ishte tjetër gjë që na ndëshkoi,- vijon më tej Çoçlli.

Fajtori? Ndonëse punuam gjatë gjithë javës, pasi kërkonim të largonim euforinë dhe ti jepnim rëndësinë e duhur përballjes me Butrintin, futbollistët ishin shumë tolerantë në fushë. Me sa duket ata e kishin marrë më lehtë se duhet duke e nënvleftësuar kundërshtarin.

Pra paguam mendjemadhësinë. Padyshim kur skuadra fiton, suksesi shpërndahet, ndërsa në rast humbje faji kryesor i faturohet trajnerit. Padyshim që në këtë humbje të gjithë gabuam, ajo që më vret më shumë është se me atë rezultat ne i kemi ulur shumë vlerat vetes. Nëse deri më parë ishim pretendenti kryesor, ku çdokush mund të na kishte frikë, tani me të drejtë na konsiderojnë si një kafshatë. Personalisht jam që ekipi duhet të punojë për vazhdimësinë dhe në rast se duam vërtetë të realizojmë objektivin, ndryshimi duhet të jetë i menjëhershëm.

Falje tifozëve për  humbjen Pas ndeshjes me Adën thashë se ky Partizan me këtë rezultat ka zgjuar interesin e tifozëve dhe duhet ti mbajmë gjallë ata, por skuadra bëri të kundërtën, duke e groposur pasurinë më të madhe të klubit, që janë tifozët e shumtë. Personalisht, por edhe në emër të ekipit dua tu kërkoj falje tifozëve për atë humbje të thellë me Butrintin.  U premtoj se reagimi do të jetë i menjëhershëm dhe ky është qëllimi kryesor që tu shlyejmë atë njollë që u krijuam të shtunën,- pohon trajneri Çoçlli.

Rrezikimi i postit Ka pasur edhe fjalë se kjo humbje ishte një skenar për të larguar trajnerin, pasi zëra të tillë ka pasur edhe para fillimit të edicionit. Por trajneri Çoçlli pohon se nuk beson të ketë skenarë të tillë, ndonëse jetojmë në Shqipëri, dhe humbjen e shikon thjeshtë si tolerim dhe papërgjegjshmëri të futbollistëve. Siç e thashë edhe më lart humbja më shumë rëndon te trajneri, por unë kam besimin e plotë të drejtuesve dhe do të mundohem të bëj më të mirën e mundshme për tua shpërblyer.

Jam i gatshëm tua tregoj aftësitë e mija, ku gjatë kësaj kohe jam munduar të krijoj profilin tim. Pas kësaj humbje nuk ndihem i rrezikuar, sepse jam i aftë ta kuptoj dhe reagoj situatën në vendin dhe kohën e duhur. Humbjen nuk e lidh me skenarë të parashikuara, por gjithçka mund të ndodhë, se në Shqipëri jetojmë. Gjithsesi do të mundohem që ekipit ti kthej besimin e humbur, -përfundon trajneri i Partizanit, Nikolin Çoçlli.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›