E Shtunë, 31 Tetor 2026

Elbasani me mision ndaj Kamzës, kërkohet vazhdimësia

Nga Elton Karaj

Në ndeshjen e sotme, verdheblutë kërkojnë të marrin pikët maksimale në Tiranë ndaj Kamzës dhe për të thyer tabunë e transfertave

Stafi drejtues i skuadrës së Elbasanit e ka marrë pozitivisht faktin e shtyrjes së ndeshjes, e cila do të luhet nesër ndaj Kamzës në stadiumin Selman Stermasi. Sipas tyre, skuadra do të ketë më shumë kohë në dispozicion për tu stërvitur. Kjo ndeshje e mendua të luhej në fushën Skënder Halili, por nuk u ra dakord. Nga ana tjetër,  fusha e skuadrës së Kamzës nuk është përfunduar ende.

Kjo transfertë ka shumë rëndësi për ekipin verdheblu, pasi do të shihet qartë dhe fuqia e kësaj skuadre, sa i përket synimeve për arritjen e Superligës. Gjatë stërvitjeve të fundit, ekipi ka qenë i plotë, pasi dhe mesfushori, Endri Dalipi, është stërvitur me pjesën tjetër të skuadrës, duke marrë ngarkesën e plotë.

Kujtojmë se mesfushori para pak ditësh është stërvitur i veçuar nga grupi për shkak të një dëmtimi.  Rikthimi i tij në stërvitje me grupin vlerësohet shumë dhe nga trajneri i skuadrës, File. Në ndeshjen ndaj Kamzës, verdheblutë do të kërkojnë të marrin maksimumin dhe të vazhdojnë ecurinë e tyre me fitore ashtu si në javën e parë. Ndaj Kamzës pritet që të jetë një ndeshje akoma më e vështirë, duke parë edhe nivelin e kundërshtarit, por verdheblutë janë të bindur se mund tia dalin të marrin fitore edhe në këtë javë të dytë.

Lojtarët verdheblu janë në një formë mjaft të mirë dhe mbi të gjitha tek ata ekziston një klimë pozitive. Gjithashtu, një tjetër faktor pozitiv për skuadrën është zhvillimi i kësaj ndeshje në stadiumin, Selman Stermasi , ku verdheblutë do të kërkojnë ta shfrytëzojnë maksimalisht për të marrë një tjetër fitore për ecurinë e tyre.

Dalipi, stërvitje e plotë me skuadrën

Pas problemeve fizike, mesfushori i Elbasanit, Endri Dalipi është kthyer ditët e fundit, duke kryer stërvitje të plotë me grupin bazë të futbollistëve. Kujtojmë se para pak kohësh, ai kryente stërvitje të diferencuar për shkak të një dëmtimi. Rikthimi i tij në skuadër i ka dhënë shumë qetësi dhe siguri skuadrës dhe trajnerit, i cili e ka vlerësuar shumë mundësinë e aktivizimit të tij më skuadrën. Mesfushori elbasanas konsiderohet një nga futbollistët më të talentuar të skuadrës. Eksperienca e tij konsiderohet tepër e nevojshme për pjesën tjetër të ekipit, e cila përbëhet nga lojtarë të rinj.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›