E Shtunë, 31 Tetor 2026

Totozani zgjidhet anëtar i Ombudsmanëve të Mesdheut

 Në Paris, Francë, u zhvillua takimi i gjashtë i Shoqatës së Ombudsmanëve të Mesdheut (Association des Ombudsmans de la Mediterranë/ AOM). 

AOM është një organizatë e krijuar në vitin 2008, e cila ka për qëllim promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut në vendet e Mesdheut, bazuar në parimet demokratike dhe të qeverisjes së mirë. Nëpërmjet kësaj organizate synohet gjithashtu promovimi i rolit të Institucioneve të Ombudsmanëve në basenin e Mesdheut, kapërcimi i kufijve dhe dallimeve qeverisëse ndërmjet shteteve anëtare nëpërmjet shkëmbimit të eksperiencave dhe informacioneve, koordinimit dhe realizimit të aktiviteteve të përbashkëta periodike shkencore, trajnuese, ndërmjet vetë institucioneve të Ombudsmanëve etj. AOM ka 28 vende anëtare dhe 5 shtete me statusin e vëzhguesit, ku ndër shtetet anëtare përmendim: Francën, Italinë, Spanjën, Portugalinë, Greqinë, Marokun, Maltën, Algjerinë, Kroacinë, Slloveninë, Malin e Zi, Bosnjë-Hercegovinën, Izraelin, etj. 

Tema e këtij takimi ishte “Fuqizimi i rolit të Ombudsmanit”. Në takim u zhvilluan diskutime dhe u shkëmbyen eksperienca lidhur me autoritetin e Ombudsmanëve ndaj administratës publike, rolin e tij në promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të grupeve vulnerabël, ndikimin e këtij institucioni në edukimin dhe informimin e publikut lidhur me të drejtat e njeriut. Në mbledhjen e zhvilluar në Paris, u zgjodhën dhe organet drejtuese të Organizatës, Bordi Drejtues dhe Këshilli Administrativ. 

Avokati i Popullit, Totozani u zgjodh me votë unanime të anëtarëve të pranishëm, anëtar i Këshillit Administrativ (i cili ka 5 anëtare). Këshilli Administrativ është një organ i rëndësishëm i Organizatës që diskuton dhe përcakton prioritetet e saj gjatë një periudhe të caktuar kalendarike, drejtimet e veprimtarisë, aktivitetet periodike të saj etj./Start/

                                                                                             2012-06-13 11:46
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›