E Diel, 1 Nëntor 2026

De vulgari eloquentia Dante, gjuha “e lartë” vulgare

30/01/2005  

“De vulgari eloquntia” është e njëkohshme me “Gostinë” dhe ka shumë mundësi të jetë shkruar me viteve 1303 e 1304. Kjo vepër zhvillon më tej, duke e sistemuar, digresionin mbi gjuhën vulgare që ishte trajtuar edhe në traktatin e parë të Gostisë. Për herë të parë në karrierën e vet letrare, në këtë vepër Dante përdor një prozë latine të lidhur me modelet e traktatistikës retorike. Në këtë rast, nuk ka qëllime divulgative, por thjesht përdor të njëjtin mjet gjuhësor që parapëlqejnë të diturit, pra latinishten, por kjo vetëm për t’i bindur mbi vlerën e gjuhës vulgare. Këtej e tutje shkrimi më latinisht bëhet për Danten një mënyrë prezantimi nën rrobën më abstrakte e tradicionale të njeriut të kulturës dhe jo më të shpikësit e eksperimentuesit.

Projekti i fillestarit i “De vulgari eloquentia” përfshinte të paktën katër libra me analiza të niveleve të ndryshime stilistikore dhe të formave të mundshme të përdorimit letrar të gjuhës vulgare. Por vepra ndërpritet papritur në kapitullin XIV në mes të trajtesës mbi gjininë e këngës. Arsyeja kryesore e braktisjes së “De vulgari eloquentia”, ashtu si kishte ndodhur edhe me Gostinë duhet kërkuar padyshim tek formulimi i një projekti më ambicioz e revolucionar, “Komedisë Hyjnore”

Traktati shtron pa mëdyshje çështjen e një gjuhe italiane të njësuar, çështje që ka nxitur diskutime shekullore (nisur nga mënyra sesi e shtron problemin, Dante shpërfaq një aftësi interpretimi e sistemimi linguistiko-letrar të paprecedent). “De vulgari eloquentia” pati një përhapje të kufizuar për shkak të qënit i pambaruar (vetëm tre dorëshkrime në 1300-ën), mbeti totalisht i panjohur në 1400-ën, derisa në 1500-ën u rizbulua nga Trissino që e përdori si mbështetje për teorinë e tij të gjuhës “kurtizane” (pra, të një gjuhe në të cilën ndërthuren komponentë të ndryshëm rajonalë) dhe botoi një përkthim më 1529. Shtypshkrimi i parë i tekstit latin (Paris 1577) është bërë nga Iacopo Corbinelli, i mërguar fiorentin.

Libri i parë hapet me pohimin e karakterit natyral të gjuhës vulgare për shkak të mësimit spontan të saj që në fëmijëri. Gjuha vulgare, për shkak të këtij “natyraliteti” konsiderohet nga Dante si më fisnike krahasuar me latinishten që është më artificiale. Për të justifikuar ndryshimin e pozicionit të Dantes përshkon një histori të shkurtër të gjuhëve njerëzor. Gjuha e njeriut të parë, Adamit iu dha atij nga fryma hyjnore dhe u ruajt si gjuhë e shenjtë nga populli hebraik edhe atëhere kur, pas dënimit që Zoti u dërgoi njerëzve pse kishin ngritur Kullën e Babelit, u formua një shumësi gjuhësh në shndërrim të vazhdueshëm. Gjuha e Evropës jugore më pas u nda në tre gjuhë të ndryshme, por të afërta, që bëjnë të mundur të flitet për një idiomë (gjuhë) “tripharium”, “treformëshe”; gjuha e oil, gjuha e oc dhe gjuha esi (kjo e fundit e folur nga Latinët apo Ytalit). Paqëndrueshmërisë dhe ndryshueshmërisë së këtyre ligjërimeve primare i kundërvihet qëndrueshmëria e pandryshueshmëria e latinishtes (ndryshe e quajtur edhe gramatike) që është pra një gjuhë artificiale, e shpikur për të bërë të mundur një komunikim universal, përtej ndryshimeve gjuhësore lokale (e lindur pra pas gjuhëve vulgare).

Pasi përcakton karakteristikat e gjuhëve oc dhe oil si dhe katërmbëdhjetë të folurave vulgare që përbëjnë gjuhën si, Dante rreket të zbulojë cila ka qenë më e ndritura ndër to. Gjithsesi, asnjëra prej tyre nuk i duket se mund të ngrihet në shkallën e gjuhës vulgare të ndritur, imazhi i së cilës, ndërduket nga vargjet e disa shkrimtarëve të shquar. Gjuha vulgare e ndritur duhet të ishte edhe themelore (pra themel i përbashkët për të gjitha gjuhët e tjera vulgare) aulike , (pra e aftë të flitet në një “auditor” të vërtetë italian, nëse do të ekzistonte), juridike ( në kuptimin që rregullat e saj të përcaktoheshin nga “kuria” e Italisë, mbledhur rreth një sovrani).

Meqënëse të gjitha këto kushte mungonin, vlera unitare e gjuhës vulgare mund të shfaqet vetëm përmes veprës së shkrimtarëve, që përbëjnë kurien ideale, “ndonëse fizikisht e shpërndarë”.

***

Në librin e dytë shpërfaq një marrdhënie më të ngushtë me artes dictandi dhe artes poetriae. Duke parakuptuar se poezia është superiore ndaj prozës, Dante e nis trajtimin me të hollësishëm të çështjes në fjalë nga përdorimi i gjuhës së ndritur vulgare në poezi. I takon poezisë të trajtojë temat më të ngritura si amorum probitas, amoris accensio, directo vuluntatis. Për sa i përket formave, më e fismja dhe e denja është kënga, stili i së cilës nuk bindet lirisë së rastit, por imitimit të rigorizitetit teknik të poetëve “regulares” (pra, poetëve latinë).

Duke pohuar ndarjen tradicionale mes stilit tragjik, komik dhe elegjak, Dante pohon se gjuhës vulgare të këngës i shkon për shtat “stili më i lartë , pra stili tragjik. Ndërkaq, komedisë, gjini inferiore i shkon për shtat si gjuha vulgare “mediokre” ashtu dhe ajo “e ulët” dhe elegjisë stil i varfër dhe dëshpërimit, i shkon për shtat vetëm gjuha vulgare “e ulët”. Deri në pikën ku ndërpritet, traktati vazhdon me trajtimin teknik të aspekteve të këndës, shoqëruar me shembuj të shumtë.

Përkthyer nga Dhurata Shehri

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›