E Shtunë, 31 Tetor 2026

Debat në Kuvend për buxhetin dhe kompleksin parlamentar

14/07/2011  Kuvendi mblidhet sot në seancën plenare

Deputetët e Kuvendit të Shqipërisë do të mblidhen paraditen e sotme në seancën e radhës, ku pritet të miratohen një sërë projektligjesh dhe marrëveshje të rëndësishme. Ndërsa përfaqësuesit e mazhorancës do të votojnë sot ligjin për ndërtimin e kompleksit të ri parlamentar, që do ngrihet tek ish-Piramida, kolegët e tyre opozitës pritet që të vijojnë bojkotin e tyre në Kuvend. Gjithashtu deputetët do të votojnë dhe buxhetin e shtetit, i cili parashikon shkurtime të fondeve për ministritë dhe institucionet e tjera të administratës shtetërore. Shkak i këtyre masave është bërë kriza ekonomike në vendet e rajonit, dhe kjo bëhet në kuadër të marrjes së masave ndaj këtij fenomeni. Pritet që sot të jetë i pranishëm në Kuvend dhe ministri i Financave Ridvan Bode, i cili do të shpjegojë për ligjvënësit shqiptarë me detaje masat dhe shpërndarjen e financave për pjesën e dytë të vitit, si dhe kostot që sjell buxheti për 2011 në veprimtarinë e institucioneve shtetërore.

Gjithashtu sot në Kuvend diskutime do të shkaktojë dhe projektligji për ndërtimin e parlamentit të ri. Ky ligj ka për objekt përcaktimin e rregullave dhe procedurave, të drejtat, detyrimet dhe afatet në dispozicion të institucioneve respektive për ndërtimin e kompleksit të ri parlamentar. Qëllimi i projektligjit është që të sigurojë që autoritetet kombëtare dhe shtetërore përgjegjëse të bashkërendojnë veprimtarinë e tyre dhe të garantohet kryerja e veprimeve të duhura për plotësimin e procedurave të nevojshme për realizimin e ndërtimit të kompleksit të ri parlamentar.

Po ashtu deputetët do të shqyrtojnë dhe miratojnë sot edhe projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes së huas ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim (IBRD), për financimin e programit «Huaja e politikës së zhvillimit të reformës në sektorin social»”. Objektivi i reformës së propozuar në sektorin social është mbështetja e ndryshimeve në politikat e dy sektorëve tepër të rëndësishëm për zhvillimin dhe përmirësimin e mirëqenies sociale të popullsisë, me qëllim për të rritur efektivitetin e programeve të sigurisë sociale dhe për të rritur efektshmërinë dhe barazinë e shpërndarjes së shpenzimeve shëndetësore në kushtet e një qëndrueshmërie fiskale.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›