E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bashkia hedh në gjyq CEZ për djegien e pajisjeve

14/07/2011  Pati luhatje tensioni, shumë aparatura jashtë funksioni. Grupi i avarisë nuk u paraqit

ELBASAN- Bashkia Elbasan ka vendosur të padisë kompaninë e Shpërndarjes së Energjisë CEZ pas djegies së një sërë pajisjesh për shkak të luhatjeve të tensionit. Burime nga bashkia bëjnë të ditur se si rezultat i luhatjeve, por edhe të mosndërhyrjes së kompanisë, Bashkisë i janë djegur shumë pajisje dhe ajo ka vendosur t’i drejtohet drejtësisë për të kërkuar dëmshpërblim.

Dëmi

Goditja e parë që mori bashkia si pasojë e kolpove të tensionit ka qenë në datën 6 korrik si pasojë e stakimit të energjisë elektrike të ndodhur rreth orës 10.45. Si pasojë e kësaj ndërprerje dhe riardhje të energjisë ka pasur luhatje të ndjeshme të tensionit me ndikime negative në punën e bashkisë dhe pajisjet elektronike të saj. Për këtë qëllim është njoftuar “CEZ Shpërndarje”. Ndërkohë specialistët e bashkisë kanë stakuar energjinë deri në ardhjen e grupit të gatshëm të mirëmbajtjes së CEZ. Bashkia ka vënë në përdorim gjeneratorët. Sipas specialistëve të bashkisë, ky grup vetëm se ka nga ana vizive kabinën që ndodhet në hotel turizmin “Skampa” duke mos bërë asnjë matje për të përcaktuar shkakun e kolpove të tensionit. Avaria ka zgjatur 3 orë. Si pasojë e këtij defekti kanë pësuar dëmtime një pajisje Router ADSL, një Switch që shërben për shpërndarje të linjës së internetit, Ups bateri kompjuteri, kabuj ushqimi llamba ekonomike.

Por goditjen e vërtetë bashkia e ka pësuar më 10.7.2011 ku si pasojë e stakimit të energjisë rreth orës 20.00 luhatja e tensionit ka bërë kërdinë mbi pajisje, kompjuterë dhe kondicionerë. Edhe pse është njoftuar “CEZ Shpërndarje” grupi përgjegjës nuk ka ardhur. Avaria ka zgjatur gjatë gjithë natës e për pasojë kanë dalë jashtë funksionit 9 kondicionerë, 4 kompjuterë, 4 motherboard 8 UPS, 2 monitorë, 3 ushqyes 1 polaris 1040 esset telecomunication 2 printerë e 2 bokse.

Për këtë qëllim është përgatitur një proces verbal, i cili i është dorëzuar CEZ. Ndërkohë në aktkontrollin e bërë më datë 13 në boksin matës së bashkisë specialistët e “CEZ Shpërndarje” nuk kanë konstatuar prishje të vulës dhe ndërhyrje në këtë boks por sipas tyre ka pasur defekt në automat dhe në pajisje ka shkuar tension fazë, fazë. Nënkryetari i bashkisë Serafin Papa u shpreh se “bashkia do të kërkojë dëmshpërblim, pasi dëmi është i madh dhe faji në këtë rast ka qenë i CEZ për shkak të ardhjes së tensionit fazë në të dy përcjellësat”. Tre ditë më parë kutia shpërndarëse në një nga zyrat e bashkisë shpërtheu në flakë dhe nëse nuk do të kishte pasur ndërhyrje emergjente, atëherë godina do të ishte përfshirë nga zjarri.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›