Presidenti turk takon Topallin
Presidenti i Turqisë, Abudallah Gyl tha në një takim me kryetaren e Parlamentit, Jozefina Topalli se Shqipëria e meritoi anëtarësimin në NATO. "Shqipëria e meriton, tha ai, pasi në vizitat e mia si Ministër i Punëve të Jashtme, edhe si President, jam dëshmitar i reformave të thella e të guximshme të Qeverisë së saj", theksoi kreu i shtetit turk. Ndërsa sipas Topallit "sot Shqipëria është vend anëtar i NATO-s, me treguesit ekonomike më pozitivë, që shmangën prekjen nga kriza financiare botërore. Shqipëria ka përmbushur të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave brenda këtij viti dhe ka përfunduar tashmë rreth 95 për qind të pyetësorit të Komisionit Evropian, për të fituar statusin e vendit kandidat në BE". Lidhur me ecurinë e njohjes së Pavarësisë së Kosovës, Gyl e Topalli thanë se procesi ka hyrë në rrugë të mbarë dhe të pakthyeshme.