Ligji i ri, maxhoranca “shkarkon” kreun e SHISH
BLEDAR HOTI
Maxhoranca përgatit largimin e kreut të SHISH, Bahri Shaqiri dhe të zëvendësit të tij.
Komisioni Parlamentar i Ligjeve miraton ndryshimet në ligjin organik të SHISH, duke e "shkarkuar" paraprakisht kreun aktual të Shërbimit Sekret. Në mbledhjen e djeshme, ky komision ka përcaktuar një dispozitë kalimtare, në të cilën sanksionohet se procedurat për zgjedhjen e kreut të ri dhe të zëvendësit të Shërbimit Informativ Shtetëror të kryhen 60 ditë nga hyrja në fuqi e këtij ligji. "Në zbatim të nenit 5/1 të këtij ligji, drejtori dhe zv. drejtori i Shërbimit Informativ të Shtetit emërohen në detyrë brenda 60 ditëve, nga hyrja në fuqi e këtij ligji. Në ndryshim nga neni 5/1 i këtij ligji zv. drejtori i Shërbimit Informativ të Shtetit, herën e parë ka një mandat 3 vjeçar", thuhet në nenin 9 të miratuar nga komisioni i Ligjeve. Mbi bazën e këtij përcaktimi, jo vetëm posti i kreut aktual Bahri Shaqiri vihet në dyshim, por edhe i atij të zëvendësit të tij. Numri dy i SHISH, në herën e parë që do të zgjidhet, do të ketë një mandat 3 vjeçar, ndërsa mësohet se ky propozim është bërë prezent nga vetë demokratët. Shaqiri, i pranishëm në mbledhjen e komisionit, ka bërë prezent dhe disa prej propozimeve që SHISH ka në lidhje me draftin që po diskutohet. "Kemi kërkuar amendimin e ligjit me synim për t'iu përgjigjur kushteve të reja për luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Amendimi vinte si nevojë dhe domosdoshmëri edhe në kuadër të detyrimeve si vend anëtar i NATO-s, procesit të liberalizimit të vizave me vendet e BE-se dhe rolit që duhet të ketë SHISH në këto procese", u shpreh Shaqiri. Shefi i Shërbimit Sekret shqiptar, ndërkohë ka paraqitur shkurtimisht disa prej 8 amendimeve të tij në lidhje me draftin që po shqyrtohet, ku kërkohej kryerja e misioneve sekrete jashtë shtetit. "Kemi kërkuar kryerjen e veprimtarisë se zbulimit jashtë vendit, që do të thotë se, në kushte të reja, SHISH mund të kryejë veprime të specializuara tekniko-informative edhe jashtë territorit të vendit. Mbrojtja e sigurisë së veprimtarisë së SHISH, duke shtuar dhe mbrojtjen e operacioneve që realizohen dhe nga struktura ilegale të objekteve dhe pajisjeve që kanë të bëjnë me veprimet informative dhe operative të SHISH, etj. Për realizimin e kësaj detyre, rregullat dhe procedurat do të propozohen nga drejtori i SHISH dhe do të miratohen nga Kryeministri. Kjo do të ndihmonte jo vetëm në sigurinë e realizimit të detyrave ndaj SHISH, por edhe në kontrollin efikas të tyre gjatë kësaj veprimtarie", tha Shaqiri. Gjithashtu, ai propozoi që SHISH të realizojë kryerjen e veprimtarive të kundërzbulimit brenda vendit; mbledhjen e informacionit mbi terrorizmin edhe për individë, grupe, organizata, që i mbështesin dhe i financojnë ata; mbledhjen e informacionit për krimin e organizuar, korrupsionin, kontrabandën, pastrimin e parave dhe gjithë llojet e trafikimit të paligjshëm. Pas këtyre propozimeve, Shaqiri kërkoi që mbledhja të zhvillohej me dyer të mbyllura për shkak të neneve që mund të kërkojnë diskutimin e elementëve teknikë. Një gjë e tillë u pranua nga komisioni.
Rusmali: Kemi bërë negociata
Kryekomisioneri Ilir Rusmali në fillim të mbledhjes deklaroi se për projektin e SHISH gjatë kësaj periudhe ka pasur edhe negociata. "Komisioni ka bërë edhe një seancë në lidhje me projektligjin, ka shqyrtuar dhe ka dhënë propozime konkrete për dispozita të veçanta. Por, komisioni në vijim është njohur edhe me propozime që kanë ardhur nëpërmjet Qeverisë nga SHISH, të cilat nuk mund të injoroheshin nga ana e këtij komisioni, të cilat duhet të shqyrtoheshin nga ky komision duhet të merreshin në konsideratë dhe pastaj të përpunoheshin në tekstin përfundimtar. Kjo periudhë që ne nuk kemi qenë në mbledhje, ka qenë një periudhë intensive konsultimesh, e cila ma siguri do të na prodhojë rezultat", tha Rusmali.