E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shefi i SHISH, raport Kryeministrit



BLEDAR HOTI

Pas tre muajsh depozituar në Kuvend, komisioni i Ligjeve shkrin në një të vetëm variantin e Qeverisë për ndryshimet në ligjin e Shërbimit Informativ Shtetëror me propozimet e paraqitura nga ana e vetë këtij institucioni. Maxhoranca është tër-hequr nga përfshirja e plotë e këtij institucioni në luftën kundër krimit dhe korrupsionit, por jo për ato raste kur cenohet siguria kombëtare. "SHISH mbledh informacion që i shërben zbulimit apo parandalimit të krimit të organizuar, kontrabandës, pastrimit të parave, si dhe korrupsionit të personave që ushtrojnë funksione publike kur ky korrupsion cenon sigurimin kombëtar", thuhet në pikën 3, të nenit 2, të miratuar. Ndërsa është përcaktuar se SHISH do të përfshihet në marrjen e informacioneve dhe kryen veprimtari kundërzbulimi brenda vendit për ruajtjen e integritetit, të pavarësisë, e të rendit kushtetues. Për rreth tre orë, Shaqiri, përfaqësuesi i Qeverisë, Oerd Bylykbashi (shefi i Kabineti të Kryeministrit) dhe anëtarët e komisionit të Ligjeve janë munduar që të shkrijnë nenet e Qeverisë me ato propozime të paraqitura zyrtarisht nga SHISH. Por maxhoranca duket se ka qenë e vendosur në lëshimin e atyre pikave, të cilat kanë të bëjnë me raportimin e kreut të SHISH përpara Kryeministrit dhe në përcaktimin e saktë të mandatit 5 vjeçar. Kjo ka bërë që ndryshimet në këtë draft të përpunuar, të mos kenë ndryshime thelbësore me draftin e parë të paraqitur nga Qeveria. "Drejtori i paraqet Kryeministrit raport vjetor për punën e Shërbimit Informativ të Shtetit, si dhe i raporton kur i kërkohet nga Kryeministri, në çdo kohë dhe për çdo çështje që lidhet me veprimtarinë e SHISH. Me kërkesë të Kryeministrit, Drejtori i Shërbimit Informativ të Shtetit, raporton edhe në Këshillin e Ministrave", thuhet në paragrafin e fundit të nenit 2. Një gjë e tillë ka ekzistuar dhe në draftin e parë të Qeverisë. Ndërkohë që është sanksionuar se SHISH nuk kryen veprime të karakterit ushtarak dhe policor. Një gjë e tillë është sanksionuar pasi, kjo i merr kompetencat e institucioneve të tjera shtetërore të natyrës që ka SHISH, si SHKB apo dhe Shërbimi Informativ Ushtarak. "Në përmbushje të detyrave të përcaktuara në paragrafin e parë të nenit 3, Shërbimi Informativ i Shtetit e vë informacionin e nevojshëm në dispozicion të organeve të Policisë së Shtetit, apo agjencive të tjera të zbatimit të ligjit, sipas kompetencës dhe pa cenuar veprimtarinë e tij. SHISH informon institucionet kompetente edhe kur çmon se informacioni në dispozicion të tij është i nevojshëm për zbulimin ose parandalimin e veprave penale dhe kur kjo nuk cenon veprimtarinë e tij. Shërbimi Informativ i Shtetit nuk kryen veprimtari të karakterit ushtarak ose policor", thuhet në nenin 6, të draftit të miratuar nga komisioni. Ndërsa demokratët kanë rënë dakord për propozimin që SHISH të kërkojë informacione nëpër institucione të ndryshme shtetërore. "Punonjësit e SHISH, për përmbushjen e detyrave në funksion të sigurimit kombëtar, kërkojnë informacion nga autoritetet shtetërore, qendrore ose lokale dhe nga personat fizikë e juridikë, përfshirë dhe shfrytëzimin e regjistrave, bazave të të dhënave, dokumentacionit zyrtar, etj. Drejtuesit dhe punonjësit e autoriteteve shtetërore, personat juridike dhe fizikë, përmbushin kërkesat e punonjësve të autorizuar nga drejtori i SHISH. Në këto raste, punonjësit e SHISH duhet të identifikohen, duke paraqitur dokumentin zyrtar të identifikimit dhe autorizimin përkatës", thuhet në nenin 7, të draftit. Komisioni i Ligjeve pas zbardhjes së draftit integral, mësohet se po dje ia ka kaluar komisionit të Sigurisë, si përgjegjësi për shqyrtimin e këtij projektligji.

projektligji i miratuar dje

Neni 1
Neni 2, paragrafi i parë, ndryshohet si vijon:
"Shërbimi Informativ i Shtetit ka për mision të sigurojë informacionin e domosdoshëm, nga jashtë dhe brenda vendit, për problemet që lidhen me sigurimin kombëtar."
Neni 2
Neni 3 ndryshohet si vijon:
Shërbimi Informativ i Shtetit kryen detyrat e mëposhtme:
a) Mbledh informacion dhe kryen veprimtari zbulimi për aktivitetet që zhvillohen jashtë vendit, në funksion të sigurimit kombëtar;
b) Mbledh informacion dhe kryen veprimtari kundërzbulimi brenda vendit, për ruajtjen e integritetit, të pavarësisë e të rendit kushtetues;
c) Mbledh informacion për terrorizmin, për individë, grupe apo organizata që mbështesin e financojnë atë;
d) Mbledh informacion për prodhimin, trafikimin e armëve e lëndëve narkotike, trafikimin e qenieve njerëzore, si dhe krimeve kundër mjedisit;
e) Mbledh informacion që i shërben zbulimit apo parandalimit të krimit të organizuar, kontrabandës, pastrimit të parave, si dhe korrupsionit të personave që ushtrojnë funksione publike, kur ky korrupsion cenon sigurimin kombëtar;
f) Mbron sigurinë e veprimtarisë së vet, të informacionit, të punonjësve, të aseteve dhe të teknikës me mjete të përshtatshme, duke përfshirë verifikimin e kualifikimin e kandidatëve, të të punësuarve e të kontraktuesve.
g) Kryen certifikimin e personave (Vetting), sipas përcaktimeve përkatëse ligjore;
h) Kryen veprimtari mbështetëse tekniko - administrative sipas nevojave, për realizimin e funksioneve të mësipërme.
SHISH, në përmbushje të detyrave të tij, me pëlqim të Kryeministrit, bashkëpunon me shërbime të vendeve të tjera dhe mbledh informacion rreth veprimtarisë së tyre, kur kjo është e nevojshme. Procedurat për raportimin dhe marrjen e pëlqimit përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
Për realizimin e funksioneve të mësipërme, Shërbimi Informativ i Shtetit ruan raporte të drejta ndërmjet nevojës së sigurimit të informacionit të domosdoshëm dhe respektimit të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.
Ligjshmëria dhe objektiviteti janë parimet bazë të punës së Shërbimit Informativ të Shtetit.
Shërbimi Informativ i Shtetit ruan sekretin, lidhur me burimet, identitetin e bashkëpunëtorëve, metodat e punës si dhe informacionin e klasifikuar "sekret shtetëror", në përputhje me legjislacionin në fuqi."
Neni 3
Neni 5 ndryshohet si vijon:
Shërbimi Informativ i Shtetit drejtohet nga Drejtori, i cili është përgjegjës për:
a) veprimtarinë e Shërbimit Informativ të Shtetit dhe kontrollin e saj;
b) mbarëvajtjen e Shërbimit Informativ të Shtetit;
c) garantimin, që çdo informacion të disponohet vetëm brenda qëllimit dhe funksioneve të Shërbimit Informativ të Shtetit;
d) garantimin se Shërbimi Informativ i Shtetit nuk ndërmerr veprime, të cilat kanë për qëllim t'i shërbejnë apo t'i sjellin përfitime ndonjë partie politike;
e) garantimin e zbatimit të marrëveshjeve ndërinstitucionale;
f) informimin dhe raportimin te Presidenti i Republikës dhe te Kryeministri, për probleme që lidhen me sigurimin kombëtar.
Drejtori i paraqet Kryeministrit një raport vjetor për punën e Shërbimit Informativ të Shtetit, si dhe raporton kur i kërkohet nga Kryeministri, në çdo kohë dhe për çdo çështje që lidhet me veprimtarinë e SHISH.
Me kërkesë të Kryeministrit, Drejtori i Shërbimit Informativ të Shtetit, raporton edhe në Këshillin e Ministrave."
Neni 4
Pas nenit 5, shtohet neni 5/1 me përmbajtjen si vijon:
Me propozim të Kryeministrit, Presidenti i Republikës, emëron dhe shkarkon drejtorin e Shërbimit Informativ të Shtetit. Për kandidaturën e propozuar, Kryeministri merr mendimin e Komisionit Parlamentar për Sigurinë Kombëtare.
Drejtori dhe zv. drejtori qëndrojnë në detyrë për një mandat 5 vjeçar, me të drejtë riemërimi vetëm një herë. Procedura për emërimin në detyrë fillon jo më vonë se 60 ditë, para mbarimit të mandatit përkatës.
Zv. drejtori është në varësi të drejtorit të Shërbimit Informativ të Shtetit dhe kryen detyrat e ngarkuara prej tij. Zv. drejtori zëvendëson drejtorin kur mungon në detyrë, por jo më shumë se tre muaj.
Drejtori i Shërbimit Informativ të Shtetit, për efekt të trajtimit financiar ka status të njëjtë me atë të ministrit, ndërsa zëvendësdrejtori ka status të njëjtë me atë të zëvendësministrit.
Neni 5
Paragrafi i katërt, i nenit 7, shfuqizohet.
Neni 6
Neni 9 ndryshohet si vijon:
Në përmbushje të detyrave të përcaktuara në paragrafin e parë të nenit 3, Shërbimi Informativ i Shtetit e vë informacionin e nevojshëm në dispozicion të organeve të Policisë së Shtetit apo agjencive të tjera të zbatimit të ligjit, sipas kompetencës dhe pa cenuar veprimtarinë e tij.
SHISH informon institucionet kompetente edhe kur çmon se informacioni në dispozicion të tij është i nevojshëm për zbulimin, ose parandalimin e veprave penale dhe kur kjo nuk cenon veprimtarinë e tij.
Shërbimi Informativ i Shtetit nuk kryen veprimtari të karakterit ushtarak ose policor."
Neni 7
Në nenin 13, paragrafi i katërt ndryshohet si vijon:
"Punonjësit e SHISH për përmbushjen e detyrave në funksion të sigurimit kombëtar, kërkojnë informacion nga autoritetet shtetërore, qendrore ose lokale dhe nga personat fizikë e juridikë, përfshirë dhe shfrytëzimin e regjistrave, bazave të të dhënave, dokumentacionit zyrtar, etj. Drejtuesit dhe punonjësit e autoriteteve shtetërore, personat juridike dhe fizikë, përmbushin kërkesat e punonjësve të autorizuar nga drejtori i SHISH. Në këto raste, punonjësit e SHISH duhet të identifikohen, duke paraqitur dokumentin zyrtar të identifikimit dhe autorizimin përkatës.
Neni 8
Në përmbajtjen e ligjit bëhen zëvendësimet si vijon:
a) fjalët "Shërbimi Informativ Kombëtar" zëvendësohen me fjalët "Shërbimi Informativ i Shtetit"
b) fjala "SHIK" zëvendësohet me fjalën "SHISH"
c) fjalët "Kuvendi Popullor" zëvendësohen me fjalët "Kuvendi i Republikës së Shqipërisë".
Neni 9
Dispozitë kalimtare
Në zbatim të nenit 5/1 të këtij ligji , Drejtori dhe zv.drejtori i Shërbimit Informativ të Shtetit emërohen në detyrë brenda 60 ditëve, nga hyrja në fuqi e këtij ligji. Në ndryshim nga neni 5/1 i këtij ligji, zv.drejtori i Shërbimit Informativ të Shtetit herën e parë ka një mandat 3 vjeçar.
Neni 10
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.

“Berisha kërkon drejtimin e SHISH-it”

Partia Socialiste reagon pas miratimit në Komisionin e Ligjeve të disa ndryshimeve në ligjin për Shërbimin Informativ Kombëtar. Duke iu referuar një prej ndryshimeve që ka të bëjë me kufizimin e mandatit të kreut të këtij institucioni, deputeti i PS-së, Ilir Gjoni tha se ky amendament bëhet që Kryeministri Berisha të marrë në kontroll SHISH-in. "Vendosja e afatit kohor për mandatin e Drejtorit të Shërbimit bëhet me qëllimin e vetëm të zëvendësimit të tij me ndonjë tjetër, që të merret dhe drejtohet siç e dëshiron ai që po e propozon, pra, Sali Berisha. Partia Socialiste i bën thirrje edhe një herë Sali Berishës të heqë dore sa nuk është vonë nga ky skenar antidemokratik", tha deputeti socialist. Sipas tij, ligji aktual nuk e pengon Shërbimin që të merret me mbledhjen e informacioneve dhe përgatitjen e tyre për Qeverinë nëse ka një kërkesë nga ana Kryeministrit ose dhe Presidentit. "Shurdhëria e qëllimtë e Berishës dhe e deputetëve të tij ndaj apelit të opozitës dhe mbi të gjitha partnerëve ndërkombëtarë është me pasoja të rënda për funksionimin demokratik të këtij institucioni, i cili edhe më parë ka qenë viktimë e keqpërdorimit politik nga ana e Sali Berishës", tha më tej deputeti i PS-së.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›