Meta, sot vizitë dy ditore në Beograd me ftesë të Jeremiç
Zv.Kryeministri dhe ministri i Jashtëm, Ilir Meta do të udhëtojë sot për në Serbi, ku do të zhvillojë një vizitë dy ditore. Lajmi bëhet i ditur nga zyra e shtypit e Ministrisë së Jashtme, e cila thekson se vizita në Beograd bëhet me ftesë të kreut të diplomacisë serbe, Vuk Jeremiç. "Më 11 mars 2010, Zv. Kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, z. Ilir Meta, do të zhvillojë një vizitë zyrtare dy-ditore në Serbi, me ftesë të ministrit të Punëve të Jashtme të Serbisë, z. Vuk Jeremiç. Gjatë vizitës, veç bisedimeve zyrtare me ministrin e Punëve të Jashtme të Serbisë z. Vuk Jeremiç, zv. Kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme z. Ilir Meta do të zhvillojë takime të veçanta edhe me Presidentin e Republikës të Serbisë, z. Boris Tadiç, zv. Kryeministrin për Integrimin Evropian, z. Bozhidar Gjeliç, Zv. Kryeministrin dhe ministrin e Brendshëm, z. Ivica Daçiç si dhe me përfaqësues të komunitetit shqiptar në Serbi", thuhet në njoftimin për shtyp të Ministrisë. Në të njëjtën kohë, bëhet e ditur se në axhendën e vizitës do të jenë çështje të marrëdhënieve dypalëshe, si edhe të bashkëpunimit rajonal dhe ndërkombëtar. "Vizita zyrtare e zv.Kryeministrit dhe ministrit të Punëve të Jashtme z. Meta në Beograd është një tregues i qartë i prioritetit që politika e jashtme e Shqipërisë i jep zhvillimit dhe forcimit të marrëdhënieve me vendet e rajonit, në kuadër të përshpejtimit të perspektivës evropiane për vendet tona. Gjatë kësaj vizite pritet të nënshkruhen edhe marrëveshje bashkëpunimi mes dy vendeve", vijon më tej njoftimi për mediat. Ministrat e Jashtëm të dy vendeve u takuan në tetor, gjatë një takimi të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Vishegrad të Budapestit. Kreu i diplomacisë shqiptare ka qenë edhe 7 vjet më parë për vizitë në Serbi, ndërkohë që kjo vizitë vlerësohet si historike dhe prioritet i zv.Kryeministrit në kuadër të marrëdhënieve me vendet e rajonit.