Debat në qeveri për pronat e Komunitetit Mysliman
Qeveria përfshihet nga debatet për pronat e Komunitetit Mysliman. Në mbledhjen e djeshme të Këshillit të Ministrave, vendimi për miratimin e marrëveshjes mes qeverisë dhe Komunitetit Mysliman të Shqipërisë për rregullimin e marrëdhënieve të ndërsjella nuk ka arritur të marrë verdiktin e plotë nga disa ministra. Vendimi është shtyrë për miratim për në mbledhjet e ardhshme si pasojë e disa kërkesave të ministrave për ndryshimin e disa pikave që përmban ky projektvendim. Sipas nenit 23 të projektvendimit të Këshillit të Ministrave, objektet e kultit që kanë statusin e Monumentit të Kulturës, t‘i kthehen në pronësi Komunitetit Mysliman të Shqipërisë dhe të mbrohen dhe të trajtohen nga ligji për trashëgiminë kulturore. Sipas këtij neni, shteti mund të marrë në përdorim një objekt të kultit vetëm për nevoja dhe interesa madhore dhe vetëm pasi të ketë marrë paraprakisht pëlqimin e Komunitetit Mysliman. Për sa i takon këtij neni të projektmarrëveshjes, Ministria e Drejtësisë ka shprehur rezerva lidhur me njohjen nga shtetit të Komunitetit Mysliman si trashëgimtar ligjor të pronave "përkatëse", në kushtet që situata për sa i takon kësaj çështjeje konsiderohet si e paqartë nga Ministria e Drejtësisë. Kjo ministri, në bazë të një letre drejtuar në Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, ka bërë me dije se nuk sqarohet në relacionin shoqërues të këtij projektvendimi për çfarë dhe për pronat e kujt bëhet fjalë, dhe përse shteti duhet të njohë si trashëgimtar të vetëm të Komunitetit Mysliman dhe jo një tjetër person juridik që praktikon të njëjtën fe. Në letrën drejtuar ministrit Pango, ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, thekson se "nëse bëhet fjalë për pasuri, pronësia e të cilave është e provueshme në bazë të dokumentacionit që ky peron juridik disponon, nuk ka asnjë pengesë juridike për komunitetin që të mos t‘i njihet dhe kthehet ose sipas rastit t‘i kompensohet prona, sipas legjislacionit në fuqi". Po kështu, Ministria e Drejtësisë, për sa i takon trajnimit me përparësi të kërkesave të depozituara pranë Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave nuk parashtrohen arsyet se përse duhet bërë një trajtim i tillë diskriminues përkundrejt të gjitha subjekteve të tjera të ligjit nr. 9235, datë 29.7.2004 "për kthimin dhe kompensimin e pronës". Shteti i njeh Komunitetit Mysliman të drejtën e pronës mbi sende të luajtshme dhe të paluajtshme, me të gjithë elementët përbërës të saj. Në projektvendimin e hartuar nga Kryeministri, Komuniteti Mysliman Shqiptar rinjihet sipas kësaj marrëveshjeje si trashëgimtar i pronave përkatëse të tij. Një tjetër pikë e kësaj marrëveshjeje bashkëpunimi ndërmjet qeverisë dhe Komunitetit Mysliman është edhe pika ku ky komunitet të njohë dhe të garantojë reagimet dhe veprimet e vetë Komunitetit Mysliman ndaj deformimeve, prirjeve ekstremiste apo çdo shfaqje tjetër ashpërsie në mjediset e besimtarëve të vet. Për të gjitha rastet e kësaj natyre, në projektvendim përcaktohet qartë që Komuniteti Mysliman të njoftojë organet kompetente.