E Diel, 1 Nëntor 2026

Nevoja për ushtarë thërret edhe kriminelët nën armë

"Të paktën një në tetë rekrutë të rinj të ushtrisë amerikane ka të paktën një precedent kriminal apo sjellje të tjera të dënueshme në të shkuarën që nuk duhet të toleroheshin nga ushtria", shkruan "USA Today". Një përqindje e tillë rekrutësh pothuajse është dyfishuar që nga viti 2004, vazhdon gazeta prestigjioze amerikane. Rritja e numrit reflekton vështirësitë me të cilat përballet ushtria në tërheqjen e të rinjve në radhët e saj, në një kohë lufte. Në pjesën më të madhe të rasteve bëhet fjalë për sjellje të keqe apo shkelje rregullash. Ushtria ka përfshirë kështu 4676 shkelës mes 36047 të rekrutuarve që nga tetori deri në fund të shkurtit. Si pasojë, shkelësit kanë ndihmuar ushtrinë të arrijë një ndër objektivat kryesorë të saj, kërkesën për rekrutë aktivë dhe rezervë prej rreth 100 mijë personash në vit, përgjatë këtyre viteve të shkuara. Në Shtetet e Bashkuara, një rekrut ka nevojë për falje në rast se ai ose ajo ka kryer një shkelje ligji serioze apo më shumë se tri shkelje të vogla. Dhe pasi falja t‘i jetë akorduar, mund të rekrutohet. Për shembull, një akuzë e vetme për posedim marijuane apo vozitje makine nën efektin e saj, kërkon falje. Ndërsa shkeljet e vogla përfshijnë edhe sjellje të parregullt apo vandalizëm. Në krahasim me ushtrinë, forcat ajrore dhe ato detare, në përgjithësi nuk janë ndeshur me të njëjtin presion në lidhje me rekrutimin, pasi ato kanë më pak trupa në Irak dhe Afganistan. Kështu, "të falurit" në trupat e marinës kanë qenë në një nivel të ulët dhe të pandryshueshëm përgjatë katër viteve të fundit.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›