E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkeli kufirin, shkarkohet kryepolici i Devollit

Shkarkohet nga detyra sepse kaloi kufirin. Kjo ka ndodhur me shefin e Komisariatit të policisë së Devollit, i cili ka kaluar në Greqi pa marrë leje nga eprorët. Kryeinspektori Artan Braholli ka marrë zyrtarisht dje urdhrin e lirimit nga ana e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit.

Sipas burimeve të policisë, konfirmohet zyrtarisht se kryeinspektori ka thyer me dashje disiplinën, edhe pse njihej më parë me rregulloren që nuk e lejon një person me uniformë të kalojë kufijtë shtetërorë, pa marrë më parë një aprovim nga ana e ministrisë përkatëse. Sipas të dhënave të policisë, masa ndaj tij është marrë për shkelje administrative, që në radhët e uniformave blu është cilësuar edhe zyrtarisht si shkelje me dashje e normave të detyrës. Ky ka qenë edhe motivacioni i largimit nga puna, që ka ardhur menjëherë pasi ai është kthyer në tokën shqiptare. Në radhët e policisë, edhe pse një thyerje disipline, kjo konsiderohet si një shkelje e rëndë që është bërë me dashje nga një njeri që mban uniformën e Policisë së Shtetit. Për më tepër, siç konfirmojnë burimet konfidenciale, shefi i policisë së Devollit kishte shkuar në territorin grek privatisht, me familjen e tij. Qëllimi i shkeljes së kufirit nuk ka qenë zyrtar, por personal. Burimet policore sqarojnë se shefi i policisë, kryeinspektor Artan Braholli, fillimisht ishte nisur me familjen, duke hyrë disa metra përtej traut të kufirit, për të bërë edhe blerje te një "free shop" që ndodhet në të hyrë të doganës greke. Por më pas, sipas të njëjtave burime, po privatisht dhe për qëllime familjare, shefi i policisë kishte mundur të hynte në thellësi të territorit grek, deri në fshatin e parë që është pak kilometra larg nga pika doganore. Kaq ka mjaftuar që prezenca e një njeriu me uniformë në shtetin fqinj të çojë në njoftimin e palës shqiptare. Sipas të dhënave, policia greke ka konstatuar shkeljen e kufirit nga një zyrtar i lartë i policisë dhe ka raportuar për prezencën e tij në shtetin fqinj. Edhe pse policia greke është vënë në dijeni se bëhet fjalë për një shef policie, fakti që ai ka kaluar kufirin pa një autorizim, nga ana e ministrisë shqiptare ka bërë që edhe drejtoria e përgjithshme të marrë masa të menjëhershme.

Shefi i policisë, Artan Braholli, ka shkuar në fshatin e parë përtej kufirit, për të bërë disa blerje me familjen e tij, gjë që për policinë e shtetin fqinj përbën një shkelje për sa kohë që ky veprim nuk është i autorizuar dhe me lejë dhe as për qëllime zyrtare të aprovuara me një akord paraprak mes dy shteteve fqinje. Nga ana tjetër, sipas rregullores, një zyrtar në radhët e policisë apo ushtrisë, edhe në rast se shkel kufijtë territorialë i veshur civil, duhet të marrë më parë një autorizim nga ministria nga e cila varet.

Zyrtarisht, Drejtoria e Policisë së Korçës ka njoftuar se "drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ka liruar nga detyra kryeinspektor Artan Brahollin, me detyrë shef komisariati i policisë së Devollit, me motivacionin "Shkelje me dashje të normave të detyrës". Ai ka kryer një shkelje administrative me dashje, pasi si njeri me uniformë duhet të merrte më parë një lejë nga ana e Ministrisë së Brendshme për të kaluar në shtetin fqinj. Kjo nuk ka ndodhur dhe është konstatuar nga verifikimet se shefi i komisariatit nuk dispononte asnjë leje apo urdhër për qëllime zyrtare të ikjes në shtetin grek, apo qoftë edhe për qëllime private dhe familjare. Kjo konsiderohet thyerje e disiplinës dhe shkelje e rregullores dhe normave të detyrës. Menjëherë pas këtij veprimi është marrë edhe urdhri për lirimin e tij nga detyra".

Sipas të dhënave nga ana e burimeve të gazetës "Shqip", shefi i Komisariatit të policisë së Devollit kishte hyrë në territorin grek i veshur me uniformë, por në kthim ai ka qenë civil.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›