E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria, ligj të ri për të huajt në Shqipëri. Përcaktohen rregullat e dëbimit

Qeveria harton ligjin e ri për "të huajt" në Shqipëri. Në kuadër të MSA-së, Shqipëria përafron legjislacionin e saj për të huajt me vende të tilla si Greqia, Italia, Sllovenia, por edhe të disa shteteve si Bullgaria dhe Rumania. Në ligjin e ri janë specifikuar qartë disa pika, ku në një prej tyre theksohet se të huajt nuk mund të organizojnë, financojnë, mbështesin, apo nxisin krijimin e partive dhe organizatave për qëllime politike dhe as mbledhje dhe manifestime, që cenojnë integritetin territorial, rendin dhe sigurinë publike në Republikën e Shqipërisë. Në ligjin e ri është përcaktuar gjithashtu se të huajt nuk mund të marrin poste drejtues dhe tituj në administratën publike. Po kështu, në ligj janë përcaktuar edhe kushtet e përgjithshme në lidhje me refuzimin, largimin dhe dëbimin e të huajve. Refuzimi i vizave apo dëbimi i tyre nga Shqipëria bëhet vetëm pasi ata shpallen persona të padëshiruar, ose në raste të tjera kur kanë ndryshuar kushtet konkrete në bazë të të cilave është bërë i mundur lëshimi i vizës ose i lejes së qëndrimit. Kur refuzohet hyrja, atëherë policia kufitare dhe e migracionit merr masa që i huaji të kthehet në vendin e origjinës. Policia kufitare e migracionit më parë duhet të vlerësojë nëse i huaji nuk po dëbohet për shkaqe diskriminuese, ose në vendin ku ai do të kthehet nuk do t‘i nënshtrohet torturës ose dënimit me vdekje për shkak të përkatësisë gjinore, racore, etnike, gjuhësore, bindjeve politike, fetare apo filozofike. Të huajit i komunikohet në gjuhën që kupton urdhri i largimit, duke e njohur me procedurat e ankimimit sipas nenit 74 të këtij ligji. Formati dhe përmbajtja e urdhrit të largimit përcaktohet me urdhër të ministrit të Brendshëm. Duke iu referuar statistikave të Këshillit të Ministrave, Ministrisë së Brendshme, asaj të Punës dhe Ministrisë së Drejtësisë, profesionet më të ushtruara nga të huajt në Tiranë janë të ndryshme. Dominues mbi të gjitha është profesioni i ndërtimit, ku këta të fundit janë drejtues ekzekutivë ose në poste të tjera të rëndësishme. I lartë është edhe numri i arsimtarëve të huaj të punësuar në kolegjet private apo në sektorët e tjerë. Më pas pasohen nga profesione të tilla si në bankë, konfeksion, mjekësi, administratorë, inxhinierë. Në lidhje me arsimin e tyre, të dhënat e marra nga Ministria e Punës, për të huajt e ardhur gjatë vitit të kaluar, rezulton se pjesa më e madhe e tyre janë me arsim të mesëm. Kjo lidhet edhe me faktin se në këtë vit është i lartë edhe numri i të ardhurve nga Kina. Numërohen rreth 147 kinezë të ardhur. Sipas ligjit "Për të Huajt", shtetasit e huaj mund të punësohen lirisht në Republikën e Shqipërisë. Në këtë ligj, kur afati i punësimit është më shumë se tre muaj, është e nevojshme pajisja e tyre me leje pune. Shtetasit e huaj në Shqipëri mund të punësohen në tri forma si punëmarrës, punëdhënës dhe të vetëpunësuar. Kërkesa për t‘u pajisur me leje pune mund të bëhet në Ministrinë e Punës dhe Çështjeve Sociale dhe në zyrat rajonale të punësimit dhe në konsullatat shqiptare të vendit ku banon shtetasi i huaj. Kaq mjafton që një i huaj të fillojë punë në Shqipëri.

Zyrtare

Mbi katërmijë të huaj jetojnë në Shqipëri

Të huajt, që janë shtetas të vendeve me të cilat Shqipëria ka marrëveshje dypalëshe, ose ka një qëndrim të njëanshëm që i përjashton nga detyrimi për t‘u pajisur me vizë, kanë të drejtë të hyjnë dhe të qëndrojnë në vend për një afat të shumtën deri 90 ditë brenda 180 ditëve që nga hyrja e parë. Ata duhet të paraqiten pranë Drejtorisë Rajonale të Kufirit dhe Migracionit brenda 30 ditëve, pasi kanë hyrë në territorin e Republikës së Shqipërisë. Sipas të dhënave zyrtare nga Zyra e Migracionit në Shqipëri janë mbi 4 mijë të huaj që kanë lënë vendet e tyre dhe kanë filluar punë në Shqipëri. Gjatë vitit të fundit, pranë Ministrisë së Punës, në Zyrën e Emigracionit kanë marrë leje pune gjithsej 164 persona të huaj. Ndërsa dy vjet më parë janë pajisur me leje 793 të huaj. Nga këta persona, 745 kanë marrë leje njëvjeçare, ndërsa pjesa tjetër leje 5-vjeçare. Vihet re se sektorët më me interes për të huajt drejt punësimit janë kryesisht ai i tregtisë, konfeksioneve, ndërtimit, prodhimit, sektori bankar, mjekësi dhe lojëra fati. Duke iu referuar të dhënave, rajonet ku ka përqendrim më të madh të shtetasve të huaj që janë pajisur me leje pune janë Tirana, Elbasani, Durrësi, Vlora, Korça, Fieri, Shkodra. Shtetasit e huaj që ushtrojnë aktivitetin e tyre në territorin shqiptar janë kryesisht me origjinë nga Turqia, e cila zë edhe pjesën më të madhe të të huajve në Shqipëri. Më pas pasohet nga Kina, Italia, Greqia, Rumania, Maqedonia, Rusia, Egjipti, Amerika, Gjermania. Vërehet se të huajt në Shqipëri nuk bëjnë një punë të rëndomtë si emigrantët tanë në dhe të huaj. Ata janë të përqendruar kryesisht në vende të mira pune, madje edhe në poste drejtuese.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›