Debat për Nënë Terezën, shtatorja transferohet nga Rrësheni në Ulëz
ULEZ - Komuna e Ulëzës vendos në qendër të saj bustin e Nënë Terezës, pas debatit për pronësinë e zonës ku do të ngrihej në Rrëshen. Ajo është vendosur në afërsi të kishës së Shën Markut, në një nga sheshet kryesore të qytetit buzë liqenit. Qindra besimtarë kanë ndjekur të dielën ceremoninë e organizuar me rastin e 7-vjetorit të emërtimit të saj dhe më pas zbulimin e shtatores së shqiptares së madhe. Ipeshkëvi i Dioqezës së Rrëshenit, Critoforo Palmieri, kryetari i komunës Ulëz Pal çoku, famulltari i kishës së Shën Marku, Don Marku dhe autoritete të tjera kanë qenë të pranishëm në inaugurimin e kësaj shtatoreje. Burime të sigurta informacioni thanë për gazetën "Panorama" se kjo shtatore ishte përgatitur nga kisha e Rrëshenit për ta vendosur në qendër të këtij qyteti, mirëpo ajo është refuzuar nga pronarët e truallit ku ishte planifikuar vendosja e saj. Këshilltarë të Bashkisë Rrëshen e pranojnë se vendosja e shtatores është diskutuar në këshill, por shumica e tyre e kanë kundërshtuar propozimin e Ipeshkvit të Dioqezës së Rrëshenit, duke u shprehur se ajo mund e duhej të vendosej pranë Kishës, në një shesh tjetër, ku të dallohej qartë. "E kemi kundërshtuar vendosjen e shtatores afër ish-shatërvanit të vjetër sepse ai truall u është njohur pronarëve dhe ata e kanë kundërshtuar vendosjen e shtatores së Nënë Terezës", thanë këshilltarë të Rrëshenit. Ata pranojnë se sapo pronarët e tokës janë informuar se do të bëhej një gjë e tillë kanë nënshkruar një peticion drejtuar Këshillit Bashkiak Rrëshen, Policisë Ndërtimore dhe Dioqezës së Kishës së Rrëshenit. Fillimisht ata shprehin mirënjohjen e madhe për Nënë Terezën dhe më pas thonë se vendi më i përshtatshëm i vendosjes së kësaj shtatoreje do të ishte pranë kishës Rrëshen. "Përfaqësuesit e kishës duhet ta mendonin se trualli është prona jonë dhe nuk mund ta dhurojmë. Ideale do të ishte vendosja e kësaj shtatorja në sheshin pranë kishës, një shesh i rëndësishëm në qytetin tonë", kanë pohuar pronarët. Tashmë, shtatorja ka zënë vend pranë kishës së Ulëzës, ku pjesa më e madhe e banorëve të komunës i përkasin besimit katolik. h.p