E Shtunë, 31 Tetor 2026

PE: ‘Urgjente’ heqja e vizave në vjeshtë



Erald Kapri

Parlamenti Evropian kërkon që qytetarët shqiptarë të udhëtojnë pa viza në zonën Shengen në vjeshtën e këtij viti. Kjo kërkesë e eurodeputetëve i është përcjellë autoriteteve vendimmarrëse të Bashkimit Evropian duke theksuar rëndësinë e saj si "urgjente". Komiteti për Liritë Civile, Drejtësinë dhe çështjen e Brendshme në Parlamentin Evropian shqyrtoi dje me dyer të mbyllura raportin e Komisionit Evropian për plotësimin e kushteve të udhërrëfyesit të liberalizimit të vizave nga Shqipëria e Bosnja. Në përfundim të këtij takimi, u vlerësua se vendet kanë plotësuar përgjithësisht kushtet teknike. Eurodeputetët theksuan se rekomandimi për liberalizimin e vizave të jepet në muajin qershor, e më pas të ndërmerret procesi legjislativ në mënyrë që në vjeshtë të këtij viti qytetarët shqiptarë e boshnjakë të lëvizin pa viza. Jean Louis De Brower, numri dy i zyrës së Komisionit Evropian që merret me çështjen e liberalizimit të vizave me Shqipërinë e Bosnjën, ka informuar eurodeputetët e Komitetit për çështjet e Lirisë, Sigurisë dhe Drejtësisë në Parlamentin Evropian gjatë pasdites me progresin e bërë nga 2 vendet e rajonit. Pas takimit me dyer të mbyllura për median, raportuesja për vizat, Tanja Fajon, publikoi një komunikatë për shtyp, ku thekson se vendimi për vizat të merret në muajin qershor. Ajo tha se kjo periudhë duhet të shfrytëzohet nga Shqipëria e Bosnja për të plotësuar kriteret që kanë mbetur pa plotësuar tërësisht. "Pres që Komisioni Evropian të shpërndajë propozimin legjislativ për të dy vendet jo më vone se fillimi i qershorit. Por shpejtësia e mëtejshme për finalizimin e procesit është ende në duart e autoriteteve të këtyre dy vendeve. Ata duhet të sigurojnë në kohen e duhur se ata janë në gjendje t'u përgjigjen shqetësimeve që mbeten, veçanërisht për zbatimin e reformave në fushën e ligjit, rendit e sigurisë së brendshme", thotë Fajon në deklaratën e saj për shtyp. Raporti për Shqipërinë vlerësonte se vendi ka përmbushur plotësisht kriteret në bllokun e parë të udhërrëfyesit që ka të bëjë më sigurinë e dokumentave, në dy blloqe të tjerë vlerësohej se objektivat përgjithësisht ishin përmbushur, ndërsa në një bllok tjetër, Shqipëria ka arritur të plotësojë shumicën.

Kukan: Në tetor liberalizimi i vizave
Eurodeputeti Eduard Kukan tha dje se Parlamenti Evropian mbështet vendimin e liberalizimit të vizave para muajve të verës në mënyrë që në tetor të bëhet liberalizimi i vizave. "Unë dua të besoj, se Komisioni po bën ç'është e mundur për të përshpejtuar procesin. Duke marrë parasysh që mund të ketë një përgjigje të shpejtë nga Shqipëria dhe Bosnja për elementët që mbeten, gjërat mund të përshpejtohen dhe nëse vendimi nuk merret para verës, që do ishte koha më e mirë, gjë që mbështet edhe Parlamenti Evropian, atëherë le të themi në shtator", tha Kukan.

Ludford: Procesi i njëjtë si me vendet e tjera
Eurodeputetja Sarah Ludford deklaroi dje se procesi i liberalizimit të vizave për Shqipërinë e Bosnjën është në të njëjtën procedurë siç është bërë me vendet e tjera të Ballkanit që përfituan heqjen e vizave. "Komisioni Evropian do ta bëjë propozimin në qershor. Por bëhet fjalë thjesht për disa muaj. Komisioni po bën të njëjtën gjë siç bëri me Serbinë dhe Malin e Zi dhe Maqedoninë, duke bërë një propozim, ndërkohë që mbeten disa çështje të hapura, por me shpresën se këto çështje do të jenë mbyllur deri sa të merret vendimi përfundimtar nga Këshilli i ministrave dhe Parlamenti", tha Ludford.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›