E Shtunë, 31 Tetor 2026

Barka: MEGA do mbrojë interesat e minoritetit grek



Kosta Barka një nga iniciatorët e krijimit të partisë më të re të minoritetit grek në Shqipëri, shprehet se kjo parti do mbrojë realisht interesat e këtij minoriteti. Sipas tij, Dule dhe Bollano e tkurrën PBDNJ dhe OMONIA-n në një grusht vota. MEGA do të jetë e hapur për bashkëpunim me çdo faktor dhe aktor politik
Z. Barka, kohët e fundit në opinionin minoritar por jo vetëm, ka tërhequr vëmendjen lëvizja më e re politike brenda minoritetit, e quajtur MEGA. çfarë përfaqëson në vetvete kjo lëvizje, cilat janë ngjyrat e saj, të komentuara si një 'PBDNJ blu' në radhët e minoritetit?
Në fakt PBDNJ vetë e ka simbolikën e ngjyrës së saj blu, kështu që edhe në aspektin formal, do të shmangnim çdo lloj përngjasimi. Formacioni politik MEGA (Minoriteti Etnik Grek për të Ardhmen), është një organizim në një nivel të ri përgjegjshmërie dhe demokracie që ka në themel të tij vetëm mbrojtjen e interesave të ligjshme të minoritetit etnik grek në Shqipëri. është shumë e rëndësishme të sqarohet opinioni publik se kjo forcë politike nuk ka as ngjyrën blu dhe as atë rozë. Ngjyrat e saj janë ngjyrat e nevojave dhe problemeve të minoritarëve që kërkojnë zgjidhje. Ky formacion lindi si nevojë e natyrshme e përfaqësimit real të minoritetit grek në spektrin politik shqiptar, larg demagogjive, spekulimeve dhe përdorimit të tij për interesa të ngushta thjesht personale.
Cili është raporti i MEGA me OMONIAN, duke pasur parasysh që së fundmi është deklaruar mbështetja e Bollanos për PBDNJ?
Në fakt përgjigjen e pyetjes suaj e ka vetë pyetja brenda. Ju sapo theksuat se Bollano ka deklaruar se mbështet PBDNJ. PBDNJ le të gëzojë mbështetjen e Bollanos, por jo të OMONIAS. Më shumë se gjysma e përfaqësuesve të OMONIAS, janë pjesë tashmë e MEGA-s, çka do të thotë që Bollano, si faturino profesionist i kohëve të vjetra, mund të kënaqet me numërimin e zbritjes së pasagjerëve nga autobusi dhe të mbledhë qindarkat e fundit të tyre, për vete, se për Dulen, me siguri nuk do t'i mbetet gjë. Figura kryesore të MEGA, janë ish përfaqësuesit më të lartë të PBDNJ dhe aktualisht të OMONIA, kështu që bilanci i transfertave është i qartë.
Minoritarët tashmë e kanë braktisur drejtuesin e PBDNJ, Dule, i cili në emër të pazareve të tij personale ka martirizuar jo vetëm interesat e minoritetit, por edhe dinjitetin e tij. Në emër të minoritetit ka marrë vendime tërësisht personale duke injoruar edhe elementin më minimal të demokracisë brenda strukturave të PBDNJ dhe duke iu hequr edhe mundësinë e mbijetesës qindra e qindra minoritarëve, të cilët ishin kontributi i pamohueshëm i ngjitjes së tij në karrigen e deputetit.
Ju thoni që e kanë braktisur, ndërkohë që Z. Dule mori mandatin e deputetit në qarkun e Vlorës, ndërsa ju nuk arritët...
..Në fakt edhe braktisja është term relativ dhe ky relativitet ka koeficientin shumë të përafërt me absoluten në rastin Dule.
Nëse në zgjedhjet e vitit 2005 PBDNJ numëronte 55000 vota dhe në ato të vitit 2009 u katandis me 13000 vota, braktisja flet qartë. Ky është bilanci formal i rezultateve të votimit, pa marrë në konsideratë qindra e qindra emra të minoritarëve emigrantë, që janë regjistruar si votues, ndërkohë që gjendeshin në Greqi.
Ndërsa pavarësisht vendosjes në listë të emrit tim dhe rezultatit përfundimtar të votimit, kandidatura ime në zgjedhjet e 2009, çmitizoi-- bastionet historike të PBDNJ. Komuna dhe fshatra të tërë të minoritetit si Dhivër, Aliko, Finiq, Delvinë, Himarë, Sarandë etj, votuan Kosta Barkën dhe jo PBDNJ. Jo më larg se disa ditë më parë në Athinë u zhvilluan zgjedhjet e strukturave drejtuese të rinisë emigrante minoritare. Bilanci i të zgjedhurve ishte 15-0 në dizfavor të Dules.
A do të ketë një bashkëpunim të kësaj force me Berishën, pasi Z. Dule e konsideron si një diversion të pastër të tij në radhët e minoritetit?
Dulja sheh diversionistë sa herë që prek dështimin. Kohët e fundit po merret edhe me të ndjerët, duke dashur të përligjë kështu veprimet dhunuese të tij, kur ndërron çelësat e zyrave të Omonias në errësirën e natës dhe më pas akuzon se e hapën omonistët, shtëpinë e tyre të dhunuar nga Dule dhe Bollano. MEGA do të bashkëpunojë më të gjithë aktorët politikë si brenda dhe jashtë vendit, të cilët kanë në themel të tyre respektin dhe bashkëpunimin e ndërsjellët për garantimin dhe progresin gjithnjë në rritje të të drejtave njerëzore dhe statusit të minoritetit grek. Dule e ka konsideruar në të njëjtën mënyrë edhe qëndrimin tim, në momentin që unë nuk lejova që ta kthente Ministrinë e Punës, çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta në një supermarket, ashtu si mund të jetë mësuar me Ministrinë e Shëndetësisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›