E Shtunë, 31 Tetor 2026

Këshilli Bashkiak, mbledhje për pronat



SARANDE - Këshilli Bashkiak i Sarandës mbështet qytetarët, pas protestës së tyre për njohjen e pronësisë së ish-pronarit nga nivele qendrore të administratës shtetërore. Problemi ka qenë në qendër të diskutimeve nga këshilltarët, të cilët e kanë vlerësuar këtë si një shqetësim mbarë qytetar dhe jo vetëm të atyre që vuajnë pasojën e mbetjes pa trojet e dhëna nga Këshilli Bashkiak 11 vite më parë. Në diskutimin e tij për këtë çështje, kryebashkiaku Gjoka tha se, "në këtë problem tepër të nxehtë për dhjetëra qytetarë të Sarandës bashkia është anashkaluar dhe se nuk ka asnjë korrespondencë me Agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit të pronave e për pasojë jemi të shqetësuar". Solidarizimi me shqetësimin qytetar i ka bashkuar të gjithë këshilltarët që folën rreth mbivendosjes së ndodhur me sheshet e ndërtimit të qindra qytetarëve, që tubuan një ditë më parë në sheshin para bashkisë. Disa prej tyre janë lejuar jo vetëm të ndjekin diskutimet e bëra në mbledhjen e këshillit që vunë në qendër shqetësimin e tyre, por edhe të flasin e të shprehin mendimet dhe sugjerimet e tyre. Mjaft prej këshilltarëve në diskutimet e tyre janë vënë në krah të qytetarëve të prekur. Të gjithë u takuan në idenë që t'u kërkohet institucioneve qendrore e atyre vendore dokumentacioni që kanë firmosur në aktin e kthimit të pronës ish-pronarit delvinjot të familjes Delvina dhe pasi të vijë ky dokumentacion shkresor zyrtar, të bëhet transparenca e procesit të shpronësimit të ndodhur me qytetarët e Sarandës. Këshilltari Dhimitraq Lapa ka propozuar që të bëhet urgjent një kërkesë-padi prej saj dhe jo nga qytetarët dhe avokati i shtetit të hapë procesin gjyqësor, përmes të cilit të bllokohen procedurat e mëtejshme të ish-pronarit në hipotekë. Ky propozim mori mbështetjen e të gjithë këshilltarëve, u pranua nga qytetarët dhe gjeti gatishmërinë e bashkiakëve për të proceduar në këtë mënyrë ditën në vazhdim. Ndërkohë që u vendos të veprohet edhe në drejtimin tjetër, vertikal, me institucionet qendrore të shtetit dhe e gjithë procedura u vendos të ndiqet nga komisioni i ligjeve që ka Këshilli Bashkiak. sh.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›