Negociatori i paktit detar me Greqinë, Ambasador në Belgjikë
Komisioni parlamentar i Politikës së Jashtme miraton dy kandidaturat për ambasadorë në Belgjikë dhe në Emiratet e Bashkuara Arabe. Në këto dy vende, për herë të parë do të kenë Ambasada me Shqipërinë. Me Belgjikën, marrëdhëniet i ka mbajtur Ambasadori, i cili ka qenë i atashuar pranë Bashkimit Evropian. Përfaqësuesi i Ministrisë së Jashtme, Gazmend Turdiu prezantoi Ilir Tepelenën si kandidat për postin e Ambasadorit të Mbretërisë së Belgjikës dhe Behar Bejkon në postin e Ambasadorit të Emirateve të Bashkuara Arabe. Në prezantimin e Ilir Tepelenës, zyrtari i MPJ vlerësoi përvojën e tij në përfaqësimin diplomatik të Shqipërisë në disa vende të ndryshme të Evropës, si Romë, Madrid e Paris. Tepelena si drejtor i Drejtorisë së Përgjithshme Rajonale ka qenë pjesëtar i grupit negociator për marrëveshjen detare të ndarjes së kufijve me Greqinë, e cila u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë. Ndërsa në prezantimin e Bejko, përfaqësuesi i MPJ vlerësoi eksperiencën dhe njohjen e mirë të tij me vendet e Lindjes së Mesme. Në vijim, të dy kandidatët shpalosën objektivat dhe prioritetet e tyre mbi funksionin që do të ushtrojnë. Në këtë drejtim, Ilir Tepelena theksoi se forcimi i marrëdhënieve midis Brukselit dhe Tiranës zyrtare do të jetë në qendër të detyrës së tij. Në mënyrë të veçantë, ai vuri theksin te rëndësia që ka forcimi i këtyre marrëdhënieve, si një impuls për procesin e integrimit të Shqipërisë në BE, pasi Belgjika pritet që në gjysmën e dytë në këtij viti të drejtojë Presidencën e Bashkimit Evropian. Në këtë kuadër, Tepelena theksoi se do të punohet fort që gjatë Presidencës belge të BE-së, të ketë lajme të mira dhe pozitive për sa i përket vlerësimit që pret Shqipëria për statusin e vendit kandidat. Nga ana e tij, kandidati për Ambasadorin e EBA, Behar Bejko theksoi se një nga objektivat kryesore të tij do të jetë krijimi i urave lidhëse midis dy vendeve për një bashkëpunim më të mirë në fushën ekonomike, kulturore, politike si dhe sociale. Brenda kësaj jave mësohet se komisioni parlamentar i Jashtëm do të realizojë dhe seancën dëgjimore të kandidatit për ambasador.