Demi: Mediu, shkelje me demontimin e armëve
Demokratët për herë të parë dalin publikisht kundër aleatit të tyre, kryerepublikanit, Fatmir Mediu. Kryetari i komisionit parlamentar të Sigurisë, Leonard Demi, ka qenë përfaqësuesi i maxhorancës që ka kundërshtuar hapur Mediun, për mënyrën se si veproi për çështjen e demontimit të armëve, kur ai ishte Ministër i Mbrojtjes. Në takimin që pati me homologët kosovarë, Demi ka lëshuar deklaratën bombë kundër Mediut, për rrugën që ndoqi rreth tre vite më parë për demontimin e armëve. Ai u shpreh se komisioni ka monitoruar dy herë Ministrinë e Mbrojtjes, në kohën kur e drejtonte Mediu, si në aspektin e zbatimit të ligjit të gradave, ashtu dhe çështjen e çarmatimit. Në të dyja rastet, Demi pohon se janë konstatuar shkelje serioze. Përveç demontimit, shkelje sipas tij ka pas dhe në mënyrën e zbatimit të ligjit për gradat e ushtarakëve. "Ne deri më sot kemi mbikqyrur dy herë Ministrinë e Mbrojtjes, jo kur ka qenë zoti Oketa si ministër se nuk kemi pasur nevojë në atë periudhë, por kur ka qenë zoti Mediu. Ekipi i parë ka parë se si zbatohej ligji për gradat e karrierat në Ministrinë e Mbrojtjes. Dhe kemi vënë re disa shkelje të vogla. Mbikqyrja tjetër e rëndësishme ka qenë për armatimet e tepërta që ka Shqipëria. Në fakt përfundimet nuk kanë qenë pozitive, ne i kemi bërë të njohura ministrit të atëhershëm dhe kemi bashkëpunuar më vonë me zotin Oketa, që shkatërrimet të bëhen sipas rregullit", deklaroi Demi. Ky qëndrim i tij lidhet me faktin se demontimi i armëve të tre viteve më parë u bë nga kompani private në Gërdec, ku më 11 mars 2008, si pasojë një shpërthimi, u vranë 26 vetë dhe mbi 250 të plagosur. Pas kësaj, demontimi i armëve realizohet nga shteti dhe në zona jo të banuara. Demi në takim me deputetët e Parlamentit të Kosovës, me anëtarë të Komisionit për Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovë, ka dhënë shpjegime dhe në lidhje me bojkotin e opozitës socialiste. "Kryetari i opozitës për arsye vetjake pretendon se zgjedhjet nuk janë vetjake dhe pretendon të hapë kutitë, të cilat kanë qenë një herë të hapura, por tani ato nuk i parashikon Kushtetuta dhe janë jashtë ligjit dhe duhen të mbesin brenda. Këto bëhen për arsye politike, mirëpo në këtë periudhë dëmtojnë dhe imazhin e Shqipërisë dhe përpjekjet tona për integrimin euroatlantik".