Kacin: Nga Shqipëria po vijnë mesazhe të gabuara në Bruksel
Nënkryetari i delegacionit të Shqipërisë, Bosnjës, Malit të Zi e Kosovës në Parlamentin Evropian, eurodeputeti slloven Jelko Kacin tha në një intervistë për BBC-në se nga Shqipëria po vijnë mesazhe të gabuara në Bruksel. Sipas tij me situatën aktuale politike po tregohet se "liberalizimi i vizave nuk është përparësia kryesore" për udhëheqjen shqiptare. "Unë do të thosha se mesazhi më relevant - dhe është një mesazh negativ - që vjen nga Shqipëria është çështja bazë se cila është përparësia strategjike e udhëheqjes shqiptare tani. Duket se liberalizimi i vizave nuk është përparësia kryesore, megjithëse Qeveria po bën më të mirën, por nga ana tjetër, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, ka perceptimin e vet të dinamizmit të ndryshimeve pozitive në Shqipëri", tha Kacin. Në lidhje me liberalizimin e vizave ai tha se "patjetër, që Shqipëria po bën përparim dhe po përparon shumë shpejtë. Por në fund të ditës ne do të bëjmë një vlerësim të gjithanshëm". Gjithsesi ai shtoi se përplasja aktuale politike po thellohet dhe nuk po gjen zgjidhje. "Ajo tashmë po e pengon imazhin e Shqipërisë, sepse duket qartë se disa forca politike do të dëshironin ta përdornin rastin e liberalizimit të vizave për të luftuar, ose koalicioni ose opozita, kushdo qoftë. Kjo përplasje po thellohet dhe nuk po kapërcehet, dhe siç e thashë, kjo dërgon një mesazh shumë të gabuar", -tha Kacin. Ai tha në këtë intervistë se pavarësisht arritjeve teknike të Shqipërisë, në fund mbetet vendimi politik i Bashkimit Evropian. "Teknikisht çdo gjë është pak a shumë në rregull. Unë isha në Tiranë pak javë më parë. Ne na la përshtypje procesi i kontrollit dhe lëshimit të pasaportave dhe dokumentave të tjera. Pra, është shumë evidente se Shqipëria po përparon shumë shpejt, por ju ngritët pyetjen bazë, dhe pyetja bazë nuk është teknike, por është shumë politike dhe në fund të ditës do të jetë një vendim politik, i vendimmarrësve politikë që në këtë rast janë ministrat e brendshëm (të BE-së)", tha më tej eurodeputeti slloven. I pyetur nga BBC nëse liberalizimi i vizave është thjeshtë një porces teknik, Kacin tha se "kurdoherë që një politikan bën një deklaratë, ajo është një deklaratë politike".