E Shtunë, 31 Tetor 2026

Debate mes serbëve të Kosovës për referendumin

Referendumi, i paralajmëruar nga serbët e Kosovës se do të mbahet në mesin e muajit shkurt të këtij viti, dhe ata do të deklarohen nëse i pranojnë ose jo institucionet e Republikës së Kosovës, ka nxitur debat dhe polemika ndërmjet politikanëve serbë në Kosovë.
Ata janë të ndarë rreth pikëpamjes nëse mbajtja eventuale e këtij referendumi është e arsyeshëm dhe e nevojshme.
Politikani serb nga veriu i Kosovës, Marko Jaksiç, nga Partia Demokratike e Serbisë, parti kjo opozitare në Serbi, thotë për Radion Evropa e Lirë se e përkrah mbajtjen e referendumit në veri të Kosovës. Sipas tij, referendumi do të reflektojë vullnetin e serbëve lokalë, siç thotë ai, për të mos i pranuar institucionet e Kosovës.
Por, mendim krejtësisht të kundërt me të ka politikani serb i veriut të vendit, Dragisa Krstoviç, nga Leposaviçi. Sipas tij, referendumi i paralajmëruar nga përfaqësuesit serbë të komunave në veri të Kosovës, nuk është mënyrë e cila mund të sjellë rezultate pozitive dhe mund të sigurojë qetësinë në veri të vendit.
Në anën tjetër, mbajtjen e referendumit të paralajmëruar në veri, e kundërshton edhe politikania serbe e Kosovës qendrore, Rada Trajkoviç nga Graçanica, e cila aktualisht është deputete në Kuvendin e Kosovës nga radhët e Listës së Përbashkët Serbe. Ajo thotë se autoritetet e Beogradit zyrtar do të duhej që ta ndalojnë mbajtjen e referendumit ose ta shpallin si të pavlefshëm, nëse referendumi eventualisht mbahet.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›