Debate në Apel për gjyqtarin e shkarkuar
TIRANE - Edmond Gogo, gjyqtari i ulur në detyrë nga KLD-ja në vitin 2005 debatoi ashpër dje në Gjykatën e Apelit të kryeqytetit kundër trupit gjykues që po shqyrton aktin administrativ për uljen e tij në detyrë në një gjykatë fakti. Para trupit gjykues të kryesuar nga gjyqtari Ilir Toska, Gogo tha se këta gjyqtarë po i zvarritnin çështjen që prej tetorit të vitit të kaluar duke u bërë shkak që ai të mos kthehej sërish në vendin e vet të punës në Apelin e Tiranës. Në seancën e zhvilluar dje para trupit gjykues ishte vetëm gjyqtari Gogo, i cili aktualisht punon në Gjykatën e Dibrës. Pas reagimit të ashpër të Gogos, kryesuesi i procesit tha se nëse nuk kërkonte Gogo përjashtimin e tre gjyqtarëve të çështjes atëherë vetë këta do të procedonin duke i dorëzuar dorëheqjen nga dosja kryetarit të gjykatës. Por edhe pas kësaj Gogo akuzoi gjyqtarët e çështjes se kishin zvarritur qëllimisht procesin që nga muaji tetor i vitit të kaluar kur ishin përzgjedhur nga shorti elektronik i institucionit. Sipas tij këta gjyqtarë kishin konflikt interesi me këtë dosje pasi e kishin gjykuar më parë dhe se ishin përjashtuar edhe njëherë tjetër. Për më tepër sipas Gogos kryesuesi i seancës kishte konflikt interesi me çështjen pasi dikur kishte mbajtur postin e kryeinspektorit të KLD-së kur ishte proceduar me ulje në detyrë gjyqtari Gogo. Gjykatësi Toska pohoi se e kishte mësuar shortin vetëm para një jave, ndërsa Gogo pohoi se të paktën prej tre javësh kjo çështje ishte afishuar në stendën e lajmërimeve të gjykatës. Po kështu gjatë ditës së djeshme u zhvillua seanca gjyqësore edhe për kolegen e Gogos, Fiqirete Mullai, e cila ndodhet në një proces të ngjashëm gjyqësor kundër KLD-së në Gjykatën e Apelit të kryeqytetit, i cili gjykohet nga të njëjtët gjyqtarë. fa.ma.