E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pukë, shkarje toke nga shirat



PUKE - Reshjet e kohëve të fundit në Pukë kanë bërë që të rrëshqasin dherat e të rrezikojnë jetën e disa banorëve në komunat e këtij rrethi. Sipas nënprefektit të Pukës, Ndue Përshpali, edhe pse një fakt i tillë është i rrezikshëm për jetën e banorëve, zhvendosja e tyre drejt një vendi tjetër nuk është marrë në konsideratë prej vetë familjarëve. Kjo pasi kudo që të shkonin, në mungesë të tokës dhe mjeteve të tjera të nevojshme do ta kishin tejet të vështirë për të përballuar jetesën. Komunat e Iballës, Rrapes dhe të Gjegjanit, prej muajsh po ballafaqohen me fenomenin e rrëshqitjes së dherave. Nga ky fenomen, një pjesë e mirë e qendrave të banuara në këto komuna është bërë e pabanueshme madje edhe e rrezikshme. Sipas Përshpallit, situata është ndjekur me vëmendje. Ai u shpreh se në disa zona, përgjigja e studimeve gjeologjike të tokës ka dhënë alarmin, por sërish banorët nuk pranojnë të largohen në vende më të sigurta. r.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›