E Shtunë, 31 Tetor 2026

KQZ, 30 komisionerë në Prokurori



Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka paditur 30 komisionerë në total si pasojë e shkeljes së ligjit, Kodit Zgjedhor gjatë ushtrimit të detyrës në votimet e 28 qershorit 2009. Që nga 28 qershori sipas KQZ-së ende nuk ka ndonjë vendim nga ana e gjykatave apo dhe përfundim të hetimit të organit të akuzës. Akoma sot dhe kësaj dite nuk ka një vendim përfundimtar në lidhje me kallëzimet penale të bëra nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhësve kundrejt shkelësve të ligjit. Këta 30 komisionerë i përkasin qarqeve Fier, Kukës dhe Shkodër. Kreu i KQZ-së, Arben Ristani në një prononcim për median theksoi se këtij fenomeni i duhet dhënë fund dhe ndaj të gjithë shkelësve që kanë falsifikuar dokumentet dhe braktisën qendrat e votimit apo të numërimit, këtu duhet të veprojë dora e ligjit. Qëndrimi i Ristanit vjen në një kohë kur Gjykata e Qarkut të Shkodrës, dënoi të martën me gjobë tre komisionerët e PS në qendrën e votimit 0342 në komunën Bushat, të cilët u akuzuan për shpërdorim detyre dhe në një kohë kur Prokuroria e Qarkut Fier ka nisur një hetim në fshatin Ruzhdie, por pa i përfunduar ato, ndonëse kanë kaluar 7 muaj. “Nuk i kemi dhënë zgjidhje fenomenit dhe mund të na përsëritet dhe në zgjedhjet e ardhshme. E vetmja mënyrë ligjore që ka mbetur tashmë është reagimi i fuqishëm nga ana e organeve të drejtësisë. Një nga këto është edhe largimi i njërës palë, duke marrë vulën e komisionit me vete. Kjo është një taktikë e paligjshme, e cila është zhvilluar gjithmonë ku pala tjetër ka pasur historikisht vota në favorin e saj. Ne u përpoqëm ta shmangim këtë fenomen në zgjedhjet në Shijak dhe KQZ-ja pati një vendimmarrje ku u vendos që të vazhdohet votimi dhe me një vulë”, tha Ristani për TV Klan. KQZ-ja bëri kallëzimin penal ndaj komisionerëve të komunës Ruzhdie, 5 komisionëreve dhe sekretarit për marrjen e vulës në ditën e votimit. Ndërsa mësohet se sekretari i komisionit të qendrës së votimit në Ruzhdie, Qazim Aliaj ka bërë kallëzim penal në Prokurorinë e Fierit pasi pretendon se në votimin e 28 qershorit 2009 është kërcënuar me armë, ç’ka ka sjellë edhe hetimin nga ky institucion i akuzës. Në një kohë që vetë KQZ-ja ka bërë kallëzim penal ndaj sekretarit Aliaj për QV-në 3052 të KZAZ-së numër 19 në Fier. Në lidhje me këtë çështje, Ristani shprehet se Prokuroria ende nuk është shprehur për kallëzim penal që ka bërë KQZ-ja. “Kemi një vazhdimësi të njërës force politike në një qendër të caktuar. Dhe kjo është taktika elektorale që përdoret rëndom kur forca tjetër e di që rezultati këtu është në këto shifra dhe veprojnë në mënyrë të tillë, duke mos zbatuar ligjin, përkundrazi duke e thyer atë në mënyrë të dukshme. është bërë lajtmotivi i ditës tashmë fenomeni i Ruzhdies. Kjo është një situatë që duket si e njëanshme, por mbase është shpejt për të folur, do të shikojmë ecurinë e hetimeve”, thekson Ristani. Problemet zgjedhore në ditën e votimit më 28 qershor janë përmendur dhe në raportin vjetor të KQZ-së, i paraqitur për diskutim në Kuvendin e Shqipërisë. Në këtë raport përmenden fenomenet e marrjes së vulës apo të braktisjes së qendrës së votimit vetëm nga komisionerët e majtë. Për sa i përket fenomenit të Ruzhides, raporti i KQZ-së shkruan se “në qendrën e votimit nr. 3052 në ZAZ-në Nr.19, komisionerët e majtë morën vulën e QV-së dhe braktisën detyrën. KQZ-ja nëpërmjet strukturave të saj insistoi që vula të kthehet në qendrën e votimit, por KZAZ-ja me vendim u shpreh që të mos e dërgonte vulën në këtë QV. Anëtarët e djathtë të KQV-së vazhduan procesin e votimit me një vulë. Edhe për këtë rast KQZ ka bërë kallëzim penal”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›