E Shtunë, 31 Tetor 2026

Patozi: Humbëm një mandat në Ruzhdie, Rama të pranojë gjykatën



Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Astrit Patozi i bëri thirrje liderit të PS-së që të pranojë vendimet e gjykatave në lidhje me procesin zgjedhor të 28 qershorit. Në një deklaratë për median, Patozi ka sqaruar se me vendimin e Kolegjit Zgjedhor për kutitë e Ruzhdies, PD-së iu hoq një mandat deputeti në qarkun e Fierit. “U bënë disa ditë me radhë që kryetari i Partisë Socialiste, zoti Edi Rama, po thërret EUREKA për njërën prej 4753 kutive të votimit të zgjedhjeve të 28 qershorit, atë të Rushdies së famshme, duke keqpërdorur dhe keqinformuar për këtë mediat e Tiranës. Jam para jush për të sqaruar një herë e mirë publikun, për sa më poshtë vijon: Në fshatin Ruzhdie, pasi votimi kishte nisur, tre komisionerë socialistë u larguan nga qendra e tyre, për të mos u kthyer më atje, duke marrë me vete edhe njërën nga vulat. Gjykata e Apelit, apo Kolegji Zgjedhor, pasi mori në shqyrtim rastin, nuk vendosi përsëritjen e votimit në Ruzhdie, por i deklaroi të pavlefshme 425 votat e gjetura në kuti, që në fakt përbënin 90 për qind të numrit të atyre që kishin votuar në atë fshat. Dhe siç është bërë e njohur tashmë, ky vendim solli për pasojë humbjen e një mandati të Partisë Demokratike në Qarkun e Fierit”, tha Patozi. Pas kësaj, sipas tij, prokuroria dhe gjykatat e vendit, bazuar në pretendimet e forcave politike, kanë marrë në shqyrtim dhe në ndjekje penale përgjegjësit për problemet e krijuara në atë qendër votimi. “Partia Demokratike, duke theksuar se simetria bipartizane në komisionet zgjedhore është kushti vendimtar për integritetin e procesit, ka mbështetur dhe mbështet organet gjyqësore dhe prokurorinë në nxjerrjen e të gjitha përgjegjësive për Ruzhdien dhe për çdo rast tjetër, mbi bazën e fakteve dhe provave të paraqitura nga subjektet politike dhe administrata zgjedhore. Dhe në këtë këndvështrim parimor, e ftojmë zotin Rama, që ashtu siç e pranoi vendimin e Kolegjit Zgjedhor për Rushdien, nëpërmjet të cilit përfitoi një mandat, të pranojë dhe respektojë edhe çdo vendim tjetër të tij”, deklaroi Patozi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›