E Diel, 1 Nëntor 2026

Tërhiqet uji, makinat zënë vendin e varkave në Shkodër



SHKODER/ RIDVAN DIBRA

Makinat po zëvendësojnë varkat në zonat e përmbytura të Shkodrës. Sipas prefektit Maxhid Cungu, situata është përmirësuar ndjeshëm pasi niveli i ujit po bie nga dita në ditë. Në periferitë e qytetit të Shkodrës nuk ka fare probleme. Ndërkohë që në rrugën e Velipojës, pranë stacionit të ujit të pijshëm të fshatit, edhe pse ka prani të ujit, automjetet me pak kujdes mund kalojnë. Në rrugën e Obotit, e cila gjer më dje ishte e pakalueshme dhe qarkullimi bëhej vetëm me varka, tashmë mund të lëvizet me automjete të larta. Burime nga prefektura bënë të ditur se në këtë qark janë ende 3710 ha nën ujë. Gjithashtu janë 58 shtëpi të përmbytura dhe 620 banesa të tjera të rrethuara nga uji. Specialistët e Drejtorisë së Bujqësisë së Shkodrës bënë të ditur se dëmet në blegtori, në kafshë apo shpendë kanë qenë krejtësisht minimale të krahasuara me përmbytjen e janarit. "Ne po e ndjekim me vëmendje situatën në zonën e Nënshkodrës dhe njëkohësisht po vazhdojmë punën për shpërndarjen e sasive të konsiderueshme të koncentrateve, si ushqim për blegtorinë e këtyre zonave në bazë të një planifikimi, 3 kg për kokë për bagëtitë e trasha dhe 300 gramë për bagëtitë e imta", u shprehën burime nga Drejtoria e Bujqësisë. Gjithashtu kjo drejtori ka filluar nga puna për vaksinimin e të gjitha kafshëve dhe shpen-dëve shtëpiakë të këtyre zonave, me qëllim evitimin e ndonjë epidemie të mundshme që mund të përhapet prej tyre në një situatë të tillë. "Gjer tani janë vaksinuar 5 mijë bagëti të trasha nga 6 mijë që janë gjithsej, 10 mijë bagëti të imta, 2 mijë derra dhe 50 mijë shpend nga 100 mijë që janë gjithsej", u shprehën më tej burimet nga Drejtoria e Bujqësisë. Banorëve të Nënshkodrës përmbytja e dytë u solli shumë probleme në sipërfaqet e mbjella. Sipas tyre, sapo u largua uji nga përmbytja e janarit ata kishin filluar punën për mbjelljet e pranverës. Por fatkeqësisht prodhimet e mbjella si grurë, jonxhë etj, u kanë shkuar dëm. E vetmja shpresë për këta banorë mbeten dëmshpërblimet e premtuara nga qeveria, si për banesat, ashtu edhe për produktet bujqësore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›