E Diel, 1 Nëntor 2026

Debate në KRRT e Vlorës: Po tkurren rrugët e gjelbërimi

 

VLORE/ QEMAL BIRAKU

Mbledhja e KRRT-së të Bashkisë së Vlorës shkaktoi debate dhe përplasje dje ndërmjet kryebashkiakut Gjika dhe anëtarëve, përfaqësues të Prefekturës. Këta të fundit i cilësuan projektet e miratuara nga KRRT-ja e Vlorës në kundërshtim me ligjin e Urbanistikës. Madje, anëtarët e jathtë paralajmëruan kryebashkiakun Gjika se qeveria nuk do t’i japë atij fonde për projekte që janë në kundërshtim me ligjin. Që në fillim të mbledhjes, disa prej anëtarëve reaguan mbi vonesën prej 8 muajsh të mbledhjeve të KRRT-së. Ndërsa Gjika e justifikoi këtë vonesë me situatat e krijuara gjatë këtij viti për shkak të angazhimeve në procedurat zgjedhore. Me cilësinë e kreut të Këshillit të Rregullimit të Territorit të Bashkisë së Vlorës, Gjika kërkoi që të mos politizonin situatat. Gjatë mbledhjes së djeshme, përfaqësuesit e prefekturës vunë në dukje se KRRT-ja ka shkelur disa herë rregulla teknike të nevojshme, siç janë ato të mosrespektimit të distancave, zvogëlimit të sipërfaqeve të gjelbëruara apo edhe shtimin e kateve pasi të miratoheshin vendimet. Niko Dumani, shefi i Agjencisë Rajonale të Mjedisit theksoi se Vlora po përfshihet nga ndotjet urbane, çfarë po shqetëson së tepërmi qytetarët. Por Gjika e akuzoi më pas kreun e mjedisit se ai kishte heshtur në lidhje me ndotjen sipas tij që po kërcënon qytetin, siç është Petrolifera apo TEC-i. Në mbledhjen e djeshme ishte parashikuar që të diskutoheshin 20 objekte publike dhe investime të Bashkisë së Vlorës, kryesisht rikonstruksione rrugësh si dhe blloqe banimi. Po kështu pjesë e mbledhjes ishin edhe 32 detyra projektimi dhe studime urbanistike për subjekte private si dhe disa dhënie lejesh e sheshe ndërtimi. Tensioni ndërmjet përfaqësuesve të subjekteve politike nisi që në diskutimin e pikës së parë të përcaktuar në rendin e ditës, që ishte projektimi për rikonstruksionin e rrugës Skelë – Uji i Ftohtë. Aty u theksua se po dilet jashtë planit rregullues. Kundërshtime pati edhe për unazën nga ambulanca deri te Akademia e Marinës, për mosrespektimin e gjerësisë së kësaj rruge. Vërejtje hasi edhe projekti për rikonstruksionin e bulevardit të qytetit. Mbas shumë debatesh, me shumicë votash këto projekte u miratuan.

Gjika: Fondet do të na i japë qeveria
Kreu i KRRT-së së Vlorës, Shpëtim Gjika u shpreh në mbledhjen e djeshme se pjesa më e madhe e fondeve për rikonstruksionin e rrugëve të Vlorës do të sigurohet nga qeveria. Sipas tij, garanci për financime është bërë kryeministri Berisha, por përfaqësuesit e djathtë e paralajmëruan atë se kreu i qeverisë nuk do t’i jepte fonde për projekte në kundërshtim me ligjin.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›