Korrupsioni, gjykata: Gjinekologu në arrest
TIRANE - Gjykata e Tiranës rrëzoi dje kërkesën e mjekut gjinekolog Petrit Rexhepi për ndryshimin e masës së sigurisë "arrest shtëpie" ndaj tij. I ndaluar nga operacioni policor "Trazhgimtari" tetëmbëdhjetë ditë më parë, mjeku Rexhepi kërkoi dje ndryshimin e masës së sigurisë "arrest shtëpie" dhe vazhdimin e hetimeve ndaj tij në gjendje të lirë. Burime pranë gjykatës së kryeqytetit sqaruan se mjeku Rexhepi e ka argumentuar kërkesën e tij, me nevojën për t'u paraqitur në vendin e tij të punës në maternitetin "Koço Gliozheni". Kjo, pasi qëndrimi në shtëpi i kishte ndërprerë një sërë trajtimesh të nisura para arrestimit me pacientë të ndryshëm. Mësohet se mjeku ka paraqitur përpara togave të zeza një listë të gjatë me emra pacientësh dhe kërkesa të tyre për të vazhduar trajtimin mjekësor prej tij. Gjithashtu, në këmbim të "lirisë", Rexhepi ka ofruar edhe garanci pasurore. Burime pranë gjykatës sqaruan se vlera e garancisë pasurore ishte lënë në "çmimin" që do të caktonte gjykata në rast pranimi.
Por argumentet e sjella nuk kanë bindur togat e zeza të gjykatës, të cilat kanë vendosur të mos pranojnë kërkesën e mjekut. Pas verdiktit të djeshme, mjekut i duhet të qëndrojë në masën e sigurisë "arrest shtëpie" deri në përfundim të hetimeve.
Operacioni për arrestimin e tre mjekëve dhe dy infermiereve të maternitetit "Koço Gliozheni" në Tiranë, mes të cilëve dhe mjeku Rexhepi, u ndërmor nga Sektori i Antikrimit Ekonomik dhe Zyra Task-Forcë në 28 shtator të këtij viti. Arrestim i tij erdhi pas një urdhër-arresti të gjykatës, për akuzën e "korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike". Sipas prokurorisë, në bashkëpunim me njëri-tjetrin të arrestuarit kishin përfituar para, duke "detyruar" pacientët të lindnin me operacion dhe jo lindje normale. ar.ba