E Diel, 1 Nëntor 2026

Vendimi jopolitik i kryesisë së PS

Gëzim Podgorica 

Kryesia e Partisë Socialiste mori një vendim për të bojkotuar zgjedhjet e pjesshme të 15 nëntorit. Pavarësisht motiveve, ky vendim nuk është aspak një  vendim politik jo për argumentet bindëse ose jo që u artikuluan pas mbledhjes, por për faktin e thjeshtë në dukje, por që është esencial, që ai vendim ishte jashtë kohës optimale të mundësisë për t’u regjistruar ose jo në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Vendimi vetëm ratifikoi në publik qëndrimin që e kishte përcaktuar kryetari dhe çdo reagim nuk kishte mundësi potenciale për të ndryshuar asgjë. Pra, ata u mblodhën për të thënë, jo për të bërë, sepse afatet kishin kaluar dhe vendimi ishte tërësisht jashtë kohës dhe i pavlerë, por edhe me pamundësi ndryshimi të situatës. Kjo sjellje e përsëritur e vënies përpara faktit të kryer komprometoi edhe shfaqjen hijerëndë të kryesisë së PS-së, e cila çdo ditë e më shumë fatkeqësisht po shfaq në pjesën më të madhe të saj mungesën e integritetit politik dhe jo vetëm!!! Vërtet e mendova dhe u përtypa disa herë për ta thënë këtë, por fatkeqësisht kështu po ndodh... Rasti i fundit e ridëshmoi. Kryesia e selisë rozë dhe më pas asambleja e afro 200 burrave dhe grave mblidhen dhe diskutojnë tamam sipas standardit të Maqos, për një gjë të kryer e cila nuk ndryshon, pavarësisht çdo vullneti apo mendimi konstruktiv në se ai ekziston. Mblidhen për të bërë butaforinë politike, e cila injektohet te militantët si shfaqje demokracie, kur në fakt është krejt e kundërta e saj. Mblidhen për të vendosur gjërat e paravendosura e të pandryshueshme. Kjo marrje zvarrë e kryesisë dhe e asamblesë, në fakt, dekonspiron Ramën në nismën e tij për mbrojtjen e lirisë së votës, kur ai shpërdoron hapur lirinë dhe të drejtën e votës së bashkëpunëtorëve më të ngushtë të tij në forumet e partisë që sundon. Vendimin për mospjesëmarrje Rama e mori, pastaj ia bëri gati kryesisë për ta votuar, e më pas për t’ia kumtuar publikut gjasme si veprim kolegjial. Një kolegjialitet, i cili vetëm shërben për makijazh politik, pasi ai është tej afateve të përcaktuara nga ligji dhe është thjesht e vetëm demagogjia e radhës. Kështu ka ndodhur edhe me ndryshimet kushtetuese, kështu ka ndodhur edhe me listën e kandidatëve për deputetë, kështu ka ndodhur edhe me programin elektoral, kështu ndodhi përsëri. Një kryesi politike, e cila nuk ka më asnjë fuqi të marrë vendime politike, por thjesht duartroket vendimet që merr kryetari dhe merr pozicione avokatie publike, që dëshmojnë degradimin e standardeve të demokracisë në partinë që shquhej për mbrojtjen dhe avancimin e tyre. Por me sa duket ishte kohë tjetër atëherë. Në momentin kur e majta është jo vetëm e paorientuar, por me mungesa të theksuara të ideve dhe të tezave të saj, në momentin kur pritej një reflektim serioz i Ramës në sjelljen e tij politike dhe në respektimin e normave dhe rregullave demokratike e statusore të partisë, shfaqet i njëjti standard negativ dhe i pashpresë për korrigjim. Orientimi drejt bojkotit të zgjedhjeve është një ide me ngjyrim të theksuar populizmi dhe aspak një mundësi potenciale e afishimit të vlerave politike dhe e forcës elektorale. Sigurisht që e vërteta e hidhur e thënë naivisht nga një anëtar kryesie që “Përse të marrim pjesë në zgjedhje kur dihet se i humbim ato” është esencialisht motivi që pastaj vishet me teza bojkoti e të tjera si këto, i gjithë këtij aksioni që  vrapohet të quhet politik. Në një parti serioze e me synim pushteti, këto teza nuk mundet dhe kurrsesi nuk lejohet të jenë dominante. Ato vlejnë për të ruajtur lëkurën kryetari dhe për të shmangur përgjegjësitë e humbjes, por jo rrugë për të ardhmen e një partie politike, e cila verifikohet në mbështetjen e saj  vetëm përmes ballafaqimesh elektorale.
Pra jo rastësisht vendimi i marrë nga kryesia nuk është politik. Nuk është i tillë pasi nuk ka fuqi vepruese, sido që të jetë pro apo kundër pjesëmarrjes në zgjedhje, por nuk është politik edhe për faktin se bëhet për të gjetur një alibi tjetër, që shmang PS-në nga gara politike të cilën nuk i dalin llogaritë dhe që shkon në debitin tjetër të Ramës lidhur me rezultatet zgjedhore.  Keqpërdorja e kryesisë për të realizuar mbrojtjen fiktive të kryetarit, përmes një veprimi të vonuar si gjithnjë në kohë, nuk mund të ketë arsyetim duke u veshur politikisht. Vendimi thjesht është në mbrojtje të kryetarit, për ta justifikuar në aventurën e tij të radhës dhe kurrsesi një vendim politik me fuqi vepruese e me rezonancë politike. Ai është një vendim i marrë nën trysninë  e mungesës së lirisë dhe i imponuar nga njeriu që bërtet në emër të saj, por që shkel në vijimësi lirinë dhe ushqen kultin dhe autoritarizmin e tij. Dhe e bën jo thjesht me një, dy, tre apo katër veta, por mjerisht me struktura që mbahen me të madh si vendimmarrëse dhe me integritet. “Gjen po bën” – është një shprehje shumë e koncentruar që përgjegjësinë dhe fajin me të drejtë nuk ia ngarkon të gjithin mëkatarit, por atyre që krijojnë kushtet dhe hapësirën për të kryer mëkatin, por edhe sigurisht që edhe e durojnë atë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›