Hasani: Vrava policët, tani do të vras veten
TIRANE - "Kam vrarë dy policë. Do të vras edhe veten. Amanet fëmijët dhe gruan". Këto ishin fjalët që kishte dëgjuar nga ana tjetër e telefonit Nazmie Voka, motra e Afrim Hasanit, ekzekutorit të dy policëve në mars të këtij viti në fshatin Shën Mëri të Kukësit. Në seancën e djeshme te Krimet e Rënda në ngarkim të Hasanit, dëshmuan para togave të zeza gjashtë persona, tre prej të cilëve pjesëtarë të familjes së tij. E thirrur si dëshmitare nga organi i akuzës, Nazmie Voka tregoi se si kishte marrë vesh krimin makabër të vëllait të saj. Sipas saj, kishte qenë vetë Afrim Hasani ai që e kishte telefonuar dhe pasi i kishte treguar se ç'kishte ndodhur i kishte lënë edhe "amanetet". Ndërkohë që të njëjtat fakte para gjykatës sollën edhe motra tjetër e Hasanit, Shpresa Voka, si edhe vjehrri i tij, Skënder Dervishi. "Më tregoi për ngjarjen dhe më tha të kujdesesha për fëmijët dhe gruan", tha dëshmitari Dervishi. Nurie Hasani, nëna e të pandehurit, u shpreh dje se nuk e kujtonte se si e kishte marrë vesh ngjarjen. Ndërsa mbante mend se pak ditë para ngjarjes policia kishte kontrolluar shtëpinë e saj dhe të Afrim Hasanit. Rustem Dreni, roja i një karburanti, tha se kishte parë dy policët Shkëlzen Dobrushi dhe Ramadan Hila teksa ishin futur në lokalin ku u vranë më pas. Ndërsa Fatmir Prendi, pronari i lokalit përballë atij të ngjarjes, tha se natën e ngjarjes pasi kishte dëgjuar krismat, kishte parë të largohej siluetën e një burri që mbante diçka në dorë, pa e shquar se cili ishte. ar.ba