E Diel, 1 Nëntor 2026

Zhdukja e dosjes, sherr në gjyqin e "bandës së Lushnjës"

 

Armand Bajrami

Seanca e radhës ndaj anëtarëve të "bandës së Lushnjës" u shoqërua me debate të ashpra mes avokatëve, prokurorisë e gjy-katës, për shkak të dëshmisë së Gramoz Selmanit. Vendimi i gjykatës për të thirrur në gjykatë Gramoz Selmani, dëshmitarin kyç të dosjes, rrëfimi i të cilit u "rrëzua" një seancë më parë, ndeshi në reagim të fortë nga avokatët mbrojtës. Debati mes palëve precipitoi deri në kërkesën e bërë nga njëri prej mbrojtësve, i cili tha se duhej përjashtuar kryesuesja e seancës për njëanshmëri në gjykim. Procedura e depozitimit të kërkesës ndërprenë seancën për pak minuta, ndërsa largimi i njërit prej avokatëve e bëri të pamundur vazhdimin e saj më pas. Gramoz Selmani ka qenë person i akuzuar, por ai është thirrur në ambasadën shqiptare në Athinë ku është marrë në pyetje dhe është lënë i lirë. Kjo ka ndodhur pasi dosja e tij është zhdukur në rrethana të paqarta, ndërsa avokatët kanë thënë se ai duhej arrestuar, pasi ishte në kërkim në momentin që është pyetur si dëshmitar.   
DESHMIA "KYÇ"
Dëshmia e Gramoz Selmanit, e konsideruar si më të rëndësishmet e procesit të bandës së "ushtarëve" të Aldo Bares, shërbeu si "katalizator" i tensionimit të situatës. Gjykata vendosi ta thërrasë Gramoz Selmanin në cilësinë e të bashkëpandehurit në një procedim të lidhur dhe t'i kërkojë atij shpjegime mbi episode kriminale që i "faturohen" "bandës së Lushnjës". Deklarimet e Selmanit në prokurori ishin pranuar një vit më parë nga gjykata, por një seancë më parë ato "u rrëzuan". Vendimi i gjykatës erdhi pas muajsh këmbënguljeje nga ana e avokatëve, se Selmani ishte i pandehur për 6 vrasje dhe se ndaj tij ekzistonte një masë sigurie në mungesë. Ndërkohë që thirrja e tij në gjykata acaroi së tepërmi avokatët. Ata i kërkuan gjykatës t'u saktësonte se pjesë e kujt procedimi ishte Selmani. Sipas mbrojtësve, ishte e pakuptimtë të merrej si dëshmitar Selmani, kur ndaj tij nuk ka akuzë dhe urdhër-arresti. "Ju duhet të na tregoni se në cilin procedim është i pandehur Gramoz Selmani dhe ku ndodhet ai, më pas të pyetet", u shprehën mbrojtësit. Në vijim duke e konsideruar vendimin të njëanshëm, ata kërkuan përjashtimin e kryesueses së seancës, gjyqtares Marsela Balili, kërkesë të cilën e depozituan në sekretari.
SELMANI
Dëshmitari okular i vrasjes së Ramadan Shkurtit, vëllait të Aldo Bares nga armiku i tij i betuar Artur Daja, po fut në "ngërç" procesin e "bandës". Pretendimet e avokatëve se Selmani ishte person me pozitë të paqartë penale u pranuan nga gjykata vetëm një seancë më parë. "Megjithëse Gramoz Selmani ka marrë statusin e të pandehurit në një procedim të lidhur, nuk ekzistojnë akte, që ndaj tij është filluar gjykimi, apo është dërguar për gjykim", thuhej në arsyetimin e gjykatës seancën e kaluar. Vendimi i gjykatës erdhi pasi ishin kryer verifikime në Prokurorinë e Elbasanit, Prokurorinë e Lushnjës dhe Prokurorinë e Përgjithshme. Gjatë verifikimeve, gjykata arriti të saktësojë faktin që për Selmanin kishte filluar një procedim penal, ndërkohë që në vijim nuk ekzistonin akte që të vërtetonin nëse ndaj tij është filluar gjykimi, apo është dërguar për gjykim. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›