E Diel, 1 Nëntor 2026

Kapet në Fushë-Krujë, vrau shqiptarin në Angli

 

FUSHE-KRUJE - Arrestohet në Shqipëri pas nëntë vitesh, personi i kërkuar për vrasjen me thikë të një shqiptari në Angli. Burime të Prokurorisë së Përgjithshme në Tiranë pohuan dje se është arrestuar në qytetin e Fushë-Krujës shtetasi Afrim Cubi, i dyshuar dhe i shpallur në kërkim për veprën penale të vrasjes. Organi qendror i akuzës tha se prokuroria e Krujës kishte kërkuar në gjykatë miratimin e arrestit për të dyshuarin për vrasje. "Arrestimi i të dyshuarit për vrasjen e emigrantit shqiptar në Angli është bërë në zbatim të vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë, e cila në të njëjtën datë mbi kërkesën e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë kishte vendosur caktimin e masës së sigurimit 'arrest në burg'", tha zëdhënësja e Prokurorisë së Përgjithshme. Sipas saj, masa e sigurimit me arrest ishte kërkuar nga Prokuroria e Krujës. Kjo e fundit më 24 shtator 2009 ka regjistruar procedimin penal në ngarkim të personit nën hetim Afrim Cubi. Hapja e dosjes në Shqipëri është bërë mbi bazën e transferimit të akteve nga autoritetet e drejtësisë së Mbretërisë së Bashkuar. Këto të fundit kanë sjellë në Shqipëri dosjen e tyre në lidhje me vrasjen e ndodhur në Londër, duke i hapur rrugë hetimit dhe gjykimit të autorit në Shqipëri, duke qenë se kishte informacione për kthimin e tij në atdhe. Sipas hetimeve të Prokurorisë, referuar edhe provave penale të ardhura nga Anglia, i arrestuari Afrim Cubi ka ekzekutuar me thikë në Londër një emigrant shqiptar në vitin 1991. Prokuroria tha se "nga aktet e deritanishme të dosjes penale rezulton se ka dyshime të bazuara, se gjatë vitit 2001, personi në hetim Afrim Cubi ndodhej si emigrant në Mbretërinë e Bashkuar, ku për autoritetet britanike ka qenë i deklaruar si shtetas kosovar". Sipas Prokurorisë, provat e grumbulluara tregojnë se vrasja ka ndodhur më 17 janar 2009, në orën 19:30. Në këtë kohë, sipas hetimeve, Afrim Cubi e ka kryer vrasjen në vendin e quajtur "1 Beachborough Road Gh" Cheriton, Folkestone, Kent-Angli. Krimi mësohet se ka ardhur pas një sherri banal mes shqiptarëve. Afrim Cubi akuzohet se ka qëlluar me thikë, duke i shkaktuar vdekjen shtetasit Frederik Ndreka, një emigrant shqiptar në Britaninë e Madhe. Prokuroria pohoi se menjëherë pasi ka kryer krimin, i dyshuari për vrasjen është larguar nga Mbretëria e Bashkuar dhe është fshehur në banesën e tij në Fushë-Krujë, duke i shpëtuar për nëntë vite arrestimit nga policia.                                      tr.so

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›