E Diel, 1 Nëntor 2026

Arratisja nga burgu i Burrelit, dëshmon vrasësi i kryepolicit

 

BURREL – I dënuari Admir Tafili që mbante çelësat e magazinës së burgut të Burrelit dëshmoi dje mbi arratisjen e bujshme të 1 viti më parë të dy prej të dënuarve përjetë. E gjithë seanca në ngarkim të Pjetër Lleshit dhe Fran Marashit është përqendruar te dëshmia e të akuzuarit për vrasjen e kryepolicit Arben Zylyftari. Toga e shoqërimit solli në orën 10:00 të paradites së djeshme në sallën e gjyqit Tafilin, i cili është pyetur për afro 2 orë rreth fakteve që ai dinte për prerjen e hekurave të dhomës numër një në sektorin B dhe mënyrës se si ai ishte caktuar magazinier i ushqimeve të së dënuarve. Pyetja e Tafilit erdhi pas kërkesës së avokatit të ish-shefit të policisë së burgut, Thanas Rumnici, Agim Tirana. Sipas dëshmitarit, ai ndodhej në dhomën 1 të sektorit B bashkë me 5 persona të tjerë të dënuar kryesisht për vrasje, mes të cilëve dhe Marashi. “Unë isha caktuar afro gjashtë muaj më parë si magazinier i ushqimeve të së dënuarve nga ish-shefi i edukimit të burgut, Hazis Duka. Kisha për detyrë të kujdesesha që asnjë i dënuar të mos merrte ushqimet e tjetrit”. Sipas tij, çelësin e magazinës nga ku u arratisën dy të dënuarit, e mbante zakonisht polici i kolonës, të cilin ia jepte në mëngjes dhe ia dorëzonte në darkë. “Të dënuarit hynin lirshëm në këtë magazinë, sidomos pas ajrimit në këtë dhomë mund të hynin disa të dënuar njëherësh”, ka pohuar Tafili. Ai ka rrëfyer se ditën e arratisjes, më 5 prill 2008, gardianët kanë kontrolluar qelitë, duke salduar disa prej kangjellave prej hekuri të prera. “Në ato momente Pashku dhe Frani bënin xhiro në mjediset e ajrimit të vetëm. Zakonisht katër dhoma kryenin ajrimin njëherësh, ndërsa unë qëndroja në ajrim gjatë gjithë ditës, për arsye shëndetësore”, tha dëshmitari i ngjarjes së bujshme. Në momentin kur ndodhi largimi, sipas Tafilit ai ndodhej në ajrim dhe sapo ka mësuar lajmin është kthyer në dhomë. Ish-drejtori i policisë së burgut, Thanas Rumnici hodhi poshtë pretendimet e Tafilit se dera e magazinës qëndronte vazhdimisht e hapur dhe se për çelësat nuk kishte kujdes nga Drejtoria e burgut.                 h.p

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›