E Shtunë, 31 Tetor 2026

Profesionalet, nga viti që vjen bëhen 4-vjeçare

 

zirina llambro

Nga viti që vjen shkollat profesionale teknike do të bëhen 4 vjeçare. Struktura e re e këtij sistemi arsimor do t’i përqaset kështu vendeve të Bashkimit Evropian. Veç kohëzgjatjes, ndryshim do të pësojnë edhe kurrikulat bazuar mbi modelet e këtyre vendeve. E jo vetëm kaq. Të gjithë nxënësit që vitin e ardhshëm do të nisin një shkollë profesionale, në profilin bujqësor dhe  atë të ndërtimit, do të mund të përfitojnë bursë nga shteti. Kjo pavarësisht kritereve ekonomike e notës mesatare. Gjithçka u bë me dije dje nga zv/ministri i Arsimit dhe i Shkencës Halit Shamata. Takimi i përbashkët mes dikasterit të arsimit dhe atij të punës konkludoi se zhvillimi i arsimit profesional mbetet prioritet i rëndësishëm i qeverisë. Kështu u ra dakord për  ngritjen e një grupi sektorial dhe takimin e tyre një herë në tre muaj. Qëllimi i këtij organizimi do të jetë koordinimi i punës dhe shpërndarja me efikasitet e fondeve, për të çuar më përpara këtë sistem. “Për vitin e ardhshëm shkollor do të zbatohet për herë të parë dhe struktura e re e shkollave profesionale, e cila është hartuar në bashkëpunim me donatorët. Kjo strukturë është më fleksibël dhe më e përshtatur me dinamikën e zhvillimit të tregut”, tha Shamata. Sipas tij, shkollat profesionale teknike me strukturën e re zgjasin 4 vjet, “Profili i Veterinarisë zgjat 4 vjet bllok, profilet Ekonomike, Pyje dhe Teknologji informacioni dhe komunikimi, (2+2) vjet, ndërsa gjithë profilet e tjera (2 + 1 + 1) vjet”, sqaroi zv/ministri. Sa i përket kurrikulës se re,   ndryshe nga gjimnazet do të jetë me dy nivele, Skeletkurrikuli qendror (i përgatitur nga AKAFP), dhe kurrikuli në nivel shkolle (i përgatitet nga mësuesit mbështetur nga AKAFP). Ministria e Arsimit ka parashikuar ndërtimin e 6 shkollave tekniko-profesionale për tre vitet e ardhshme. “Tre do të jenë shkolla të profilit Teknologji informacioni dhe komunikimi (përkatësisht në Tiranë, Durrës dhe Elbasan), 2 shkolla Elektro dhe Automekanik, (përkatësisht në Dibër dhe Fier), dhe 1 shkollë Agro-biznesi në Bushat Shkodër”, bëri me dije zv/ministri. Ai theksoi se në plan është zgjerimi i kapaciteteve të shkollave ekzistuese e  përmirësimi i bazave prodhuese e reparteve të praktikave profesionale. “Do të mundësojmë dërgimin e buxhetit pranë Drejtorive Rajonale Arsimore, edhe për shkollat që nuk kanë statusin e shkollave kombëtare. Ky buxhet do të përdoret vetëm për blerjen e pajisjeve të laboratorëve e bazave prodhuese, lëndë të parë për zhvillimin e praktikave profesionale”, tha Shamata. Ndërsa zv/ministri i Punës, Kastriot Sulka, nënvizoi se qëllimi kryesor është ulja e nivelit të papunësisë, duke iu afruar vendeve të BE në këto sektorë.

Struktura e re

    Profili i Veterinarisë zgjat 4 vjet bllok

    Profilet Ekonomike 2+2 vjet

    Pyje dhe Teknologji informacioni dhe komunikimi 2+2 vjet

    Gjithë profilet e tjera (2 + 1 + 1) vjet

    Kurrikula ndryshe nga gjimnazet me dy nivele

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›