E Shtunë, 31 Tetor 2026

Debate për avokatët në gjykatë

 

TIRANE - Debate mes palëve në seancën e 60-të të procesit gjyqësor në ngarkim të akuzuarve si anëtarë të "bandës së Durrësit". Edhe në seancën e djeshme gjykimi është ndërprerë për shkak të mungesës së avokatit Petraq Semani, i cili mbron në këtë proces interesat e të pandehurit Kujtim Buna. Në kushtet kur i papranishën në seancë ishte vetëm avokati Semani, gjykata vendosi zëvendësimin e tij me avokaten Jalldyz Kastrati. Avokatja Kastrati u zgjodh nga ana e gjykatës, si një avokate që njihej në përgjithësi me aktet, pasi kishte mbrojtur dy herë më parë interesat e të pandehurit Endrit Dokle. Por ishte Dokle ai që kundërshtoi praninë e avokates, menjëherë pas ardhjes së saj në sallën e gjyqit. "Këtu luhet jeta jonë ju thoni 'e njeh dosjen në përgjithësi", i është drejtuar Dokle kryesuesit të seancës. Ndërkohë që ende pa u shprehur vetë avokatja, Dokle vazhdoi duke thënë se ajo kishte qenë dikur mbrojtëse e tij dhe jo e të pandehurit Buna. "Dosja ime me dosjen e Kujtim Bunës ndryshojnë", tha Dokle. Me të njëjtin argument, reaguan edhe disa prej avokatëve të tjerë mbrojtës, reagime të cilat u cilësuan edhe si presione nga ana e gjykatës. "Avokatët nuk i bëjnë kurrë presion njëri-tjetrit, por gjithçka ishte në kuadrin profesional", sqaroi avokat Riza Icka.        ar.ba

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›