E Shtunë, 31 Tetor 2026

Proceset zgjedhore gjithmonë të shoqëruara me kontestime

13/07/2009  Në shtatë përballje politike partitë kanë folur për vjedhje dhe tjetërsim votash

Zgjedhjet parlamentare në historikun e Shqipërisë pluraliste kanë vuajtur gjithnjë nga sindromi i kontestimeve. Në të shtatë proceset zgjedhore, përfshirë edhe këtë të fundit, që ende nuk është mbyllur zyrtarisht, partitë janë përfshirë në debate tepër të ashpra politike, duke përcjellë kontestimet e tyre. Kryesisht dy forcat më të mëdha në Shqipëri, Partia Demokratike dhe Partia Socialiste, gjatë këtyre 18 vjetve janë shprehur për procese të parregullta zgjedhore. Sipas tyre, vota e qytetarëve është tjetërsuar në mjaft raste dhe për pasojë rezultati i votimeve është shpërfytyruar, askush nuk ka marrë atë që vërtet i takon. Në shtatë proceset zgjedhore politike anatemimet për parregullsi të theksuara, për vjedhje të votës, për shkelje të ligjit zgjedhor, për kërcënime qytetarëve apo administruesve të procesit në nivele të dyta apo të treta janë ndërmarrë nga partia që në ato zgjedhje vinte nga opozita.

Proceset

Procesi i parë zgjedhor u zhvillua në vitin 1991, kur në vend u njoh pluralizmi politik. Këto zgjedhoje u kontestuan ashpër nga Partia Demokratike, e cila sipas rezultateve zyrtare doli humbëse. Për PD-në partia në pushtet, Partia e Punës, përmes mekanizmave të saj kishte arritur manipulimin e votave. Pas në periudhe agonie politike dhe ekonomike në vend, rrëzime qeverish u shpall mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme. Në mars të vitit 1992 PD-ja fitoi me një diferencë të ndjeshme ndaj rivales së saj kryesore, Partisë Socialiste, e cila ishte pasardhësja e PPSH-së, me ndryshimin që i kishte bërë emrit. Kontestimet e ashpra, deri në mosnjohje të zgjedhjeve, nisën me procesin zgjedhor të vitit 1996. PS-ja pretendoi për vjedhje flagrante dhe manipulime të mëdha të votave nga partia në pushtet. Pas krizës së thellë në vend në vitin 1997 u mbajtën zgjedhjet e parakohshme, ku fituese doli PS-ja. Në këtë rast demokratët kontestuan zgjedhjet, duke pretenduar se nuk kishin pasur mundësinë më të vogël për të zhvilluar fushatë elektorale në një pjesë të konsiderueshme të vendit, sidomos në Jug. Zgjedhjet parlamentare të vitit 2001 ishin ndër më të kontestuarat. PD-ja doli humbëse sipas rezultateve zyrtare të shpallura nga Komisioni Qendror u Zgjedhjeve të asaj kohe. Ajo pretendoi për manipulime të jashtëzakonshme, madje denoncoi përmes filmimeve te ndërkombëtarët për manipulimet e bëra nga strukturat qeverisëse të PS-së. Me gjithë certifikimin e zorshëm nga ndërkombëtarët, PD-ja refuzoi të njihte zgjedhjet. Për disa muaj deputetët demokratë bojkotuan Parlamentin shqiptar. Në vitin 2005 fitorja e zgjedhjeve parlamentare i buzëqeshi Partisë Demokratike, e cila vinte pas tetë vjetësh opozitë. Në këto zgjedhje, momenti më dramatik ishte varsja e komisionerit të PR-së në zonën zgjedhore në Tiranë, ku përballë ishte kandidati i PD-së Ei Paloka dhe ai i PS-së Shpëtim Idrizi. Çuditërisht, në këtë proces kontestimet më të mëdha erdhën nga përfaqësues apo kandidatë për deputetë të Partisë Socialiste, e cila deri atëherë ishte në pushtet. Procesi i ankimimit në këto zgjedhje, si në KQZ, ashtu dhe në Kolegjin Zgjedhor, vazhdoi për disa muaj. Por kontestime për zgjedhjet u bënë edhe nga demokratët, të cilët u shprehën kundër për shumë parregullsi të vëna re. Me gjithë këto kontestime dhe pretendime për manipulime nga përfaqësuesit e të dy spektrave politikë, PD-ja arriti të marrë pushtetin në dorë. Sot zgjedhjet e përgjithshme parlamentare janë kontestuar nga socialistët. Në KQZ janë vërsulur pretendimet për manipulime. Madje lidershipi i PS-së ka deklaruar shpeshherë ditët e fundit se nuk do të njohë zgjedhjet dhe se do të organizojë protesta të gjera qytetarësh për atë që ajo e pretendon si vjedhje të votës. Gjithsesi, në bazë të rezultateve paraprake zgjedhore është rënë dakord për krijimin e një qeverie përmes koalicionit të përbërë nga Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim, forcë politike që i përket spektrit të majtë. Një gjë e tillë sjell edhe humbjen e zgjedhjeve nga PS-ja dhe kreu i saj Edi Rama.

Ndërkombëtarët dhe zgjedhjet shqiptare gjatë viteve

Vlerësimet dhe sugjerimet pas çdo procesi

OSBE–ODIHR-i, roli në ndryshimet në Kodin Zgjedhor

Parregullsitë e zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare në Shqipëri janë konstatuar dhe janë bërë publike jo vetëm nga partitë politike, por dhe nga faktori ndërkombëtar. Vëzhguesit ndërkombëtarë të zgjedhjeve, sidomos ata që janë parë dhe ende shihen si kritizerët apo vulëvënësit e ecurisë së procesit, kanë qenë përfaqësues të OSBE-së dhe të ODIHR-it. Ata kanë qenë prezentë në Shqipëri para, gjatë dhe pas zgjedhjeve. OSBE-ja dhe ODIHR-i si në raportin paraprak, ashtu dhe në atë përfundimtar në të gjitha rastet kanë evidentuar shkelje ligjore gjatë zgjedhjeve. Për kryevëzhguesit dhe përpiluesit e raporteve për zgjedhjet politike shqiptare klima politike zgjedhore përgjithësisht në të shtatë zgjedhjet në periudhën pluraliste ka qenë e acaruar, sidomos gjatë procesit të numërimit të votave. Ata kanë bërë përgjegjës politikën vendase për acarimin e situatës. Gjatë gjithë këtyre proceseve zgjedhore vëzhguesit ndërkombëtarë kanë raportuar për ngecje, por edhe kanë dhënë këshilla se si mund të përmirësohej procesi i ardhshëm zgjedhor. OSBE-ja dhe ODIHR-i pas çdo procesi kanë reflektuar në raportet e tyre sugjerimet edhe për ndryshimet në ligjon zgjedhor, pra në Kodi Zgjedhor. Edhe pse indirekt ata kanë bërë të qartë nevojën e ndryshimit të ligjit, pasi kanë vërejtur anomalitë në zgjedhjet përkatëse. Por edhe pas sugjerimeve dhe ndryshimeve të shpeshta në Kod situata politike postzgjedhore nuk ka ndryshuar shumë në Shqipëri. Partitë politike janë bërë pjesë çdo herë në komisione të përkohshme parlamentare për reformën zgjedhore. Edhe në këto komisione janë vërejtur përplasjet mes interesave të forcave politike shqiptare. Shpeshherë i është dashur vetë faktorit ndërkombëtar, sidomos OSBE-së të ndërhyjë për të sheshuar tensionet dhe për të mundësuar rënien dakord të palëve mbi ndryshimet në ligj. Por edhe pas kësaj zgjedhjet kanë shkaktuar kontestime të ashpra nga ana e aktorëve politikë shqiptarë. Gjatë proceseve të fundit zgjedhore ndërkombëtarët sollën një modë të re në raportet e tyre. Shprehjet “janë vërejtur përmirësime” dhe “zgjedhjet ishin një hap përpara, por ka ende shumë punë për t’u bërë”, haseshin rëndom në raportet e tyre për proceset e fundit zgjedhore në Shqipëri.

Zgjedhjet e vitit 1991

Zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të vitit 1991 ishin të parat pluraliste në Shqipëri. Partia e Punës, e drejtuar nga Ramiz Alia, do të fitonte zgjedhjet. Pas kësaj fitoreje Partia Demokratike kontestoi ashpër rezultatin dhe në seancën e parë plenare të asaj legjislature dërgoi përfaqësuesin e saj, deputetin Neritan Ceka, që deklaroi mosnjohjen e zgjedhjeve për shkak të manipulimeve nga partia-shtet. PPSH-ja ndenji në pushtet vetëm një vit, pasi u detyrua të shpallte zgjedhjet e parakohshme. Në këtë përballje elektorale demokratët gjendeshin të vetëm përballë një koalicioni të gjerë të përbërë nga PPSH-ja dhe disa parti politike të sapokrijuara dhe organizata mbështetëse të PPSH-së, si ajo e Bashkimeve Profesionale, Organizata e Rinisë e të tjera organizata satelite. Zgjedhjet e para pluraliste shqiptare të periudhës postkoniste të vitit 1991 janë të vetmet zgjedhje të zhvilluara me sistem të pastër maxhoritar. PD-ja në mandate doli e humbur me diferencë të thellë, deri në 38% të vendeve në Parlament.

Zgjedhjet e vitit 1992

Këto ishin ndoshta zgjedhjet parlamentare që nuk shkaktuan kontestime të mëdha nga forcat politike shqiptare. Partia Socialiste, e cila ishte trashëgimtarja e PPSH-së, pas ndërrimit të emrit në kongresin e majit të vitit 1991 arriti të merrte 25.7% të votave dhe shkoi automatikisht në opozitë. Nga ana e saj PD-ja, e cila kishte mbështetjen më të madhe popullore si dhe një përkrahje të hapur nga faktori ndërkombëtar, mundi të merrte 62.1% të votave, duke marrë 92 nga 140 deputetë në parlamentin e ri. Gjatë kësaj legjislature grupi parlamentar i PD-së votoi në Parlament liderin e saj Sali Berisha si president të Republikës, post të cilin e mbajti deri në vitin 1997. Në zgjedhjet e vitit 1992 demokratët premtuan se do të rimëkëmbnin vendin dhe do të përmirësonin gjendjen ekonomike dhe shoqërore. Në këto zgjedhje parlamentare ishte e pritshme që PD-ja të dilte fituese, pasi populli ishte tejet i acaruar nga gjendja e krijuar në vend pas kolapsit që solli regjimi komunist.

Zgjedhjet e vitit 1996

Zgjedhjet parlamentare të majit të vitit 1996 u kontestuan fuqishëm nga Partia Socialiste, e cila deklaroi se ato ishin krejtësisht të manipuluara nga presidenti i asaj kohe, Sali Berisha, dhe partia e tij në pushtet. Ditën e zgjedhjeve PS-ja deklaroi tërheqjen nga gara elektorale. Megjithatë, procesi zgjedhor vazhdoi dhe sipas rezultateve zyrtare PS-ja mori 10 vende në Parlament dhe PD-ja arriti të merrte 122 vende. Opozita organizoi mitingje, gjatë të cilave ndodhën edhe përplasje të forta me forcat e rendit. Për socialistët ato ishin zgjedhjet më të paprecedenta në aspektin e manupilimit të votës së qytetarëve. Por këto pretendime u hodhën poshtë nga PD-ja. Për demokratët rezultati përcillte frymën dhe mbështetjen e elektoratit për partitë politike. PS-ja shpalli mosnjohjen e zgjedhjeve parlamentare dhe nisën protestat. Në zgjedhjet e vitit 1996 nisën deformimet e sistemit elektoral me një hendek të thellë midis numrit të votave dhe numrit të mandateve parlamentare.

Zgjedhjet e vitit 1997

Kriza e thellë në vend, situata aspak e qetë për shkak të hapjes së depove të armëve, solli dorëheqjen e Berishës nga posti i presidentit, dorëheqjen e qeverisë së PD-së dhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme. Dimrin e vitin 1997 qeveria e kryeministrit të atëhershëm Aleksandër Meksi, u detyrua të japë dorëheqjen dhe të shpallte zgjedhjet e parakohshme. Protestat dhe pakënaqësia ndaj ish-presidentit dhe kreut të PD-së Berisha sollën pakënaqësi. Rrëzimi i firmave piramidale, ku një pjesë e madhe e qytetarëve shqiptarë humbën paratë, shpërthimi i depove të armëve krijoi një gjendje pasigurie në vend. Sipas rezultatit të atyre zgjedhjeve, PS-ja arriti të merrte 101 vende në Parlament, kurse pjesa tjetër i takoi partive të djathta. Kryetari socialist Fatos Nano, i cili kishte dalë nga burgu, u zgjodh kryeministër i vendit. Por PD-ja kontestoi zgjedhjet dhe i vlerësoi ato si të parregullta, duke thënë se nuk kishte pasur mundësi të zhvillonte fushatë elektorale në një pjesë të konsiderueshme të vendit, sidomos në Jug. PD-ja vlerësoi gjendjen e krijuar si revoltën komuniste në vend.

Zgjedhjet e vitit 2001

Procesi zgjedhor i tetë vjetve u kontestua dhe u vlerësua i papranueshëm për Partinë Demokratike. Rezultati zyrtari i dha fitoren PS-së, e cila së bashku me aleatët e saj arriti të merrte 73 deputetë në Kuvend, ndërkohë që PD-ja dhe aleatët morën pjesën tjetër. Në këto zgjedhje socialistët u rikonfirmuan mazhorancë në Parlament, por duke pësuar një tkurrje në rezultat në krahasim me zgjedhjet e mëparshme. Kështu, PS-ja mori 41.5% të votave, por duke marrë me vete Partinë Socialdemokrate, Partinë Agrare, Aleancën Demokratike, Partinë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, fitoi shumicën e deputetëve. Por këto zgjedhje parlamentare u kundërshtuan ashpër nga Partia Demokratike. Për demokratët zgjedhjet e atij viti ishin tërësisht dhe thellësisht të manipuluara nga socialistët në pushtet. PD-ja pretendoi për manipulime të jashtëzakonshme, madje denoncoi përmes filmimeve te ndërkombëtarët për manipulimet e kryera nga strukturat qeverisëse të PS-së. Për disa muaj PD-ja bojkotoi Parlamentin.

Zgjedhjet e vitit 2005

Zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 3 korrikut 2005 ishin ndër më të kontestuarat nga partitë politike shqiptare. Me ndryshimet që iu bënë Kodin Zgjedhor, u eliminua mundësia e shkuarjes së balotazh dhe mandatin e deputetin e fitonte ai kandidat që kishte marrë qoftë edhe një votë më shumë se rivalët e tij. Në këto zgjedhje fituese rezultoi PD-ja. Kontestimet e zgjedhjeve u paraqitën nga partitë kryesore politike në vend. Procesi i shqyrtimit të tyre në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe më pas në Kolegjin Zgjedhor vazhduan për afro dy muaj. Në këtë proces kontestimet më të mëdha erdhën nga përfaqësues apo kandidatë për deputetë të PS-së, e cila deri atëherë ishte në pushtet. Në këto zgjedhje ngjarja më dramatike ishte vrasja e komisionarit të PR-së në zonën zgjedhore në Tiranë, ku përballë ishte kandidati i PD-së Edi Paloka dhe ai i PS-së Shpëtim Idrizi. Por kontestime për zgjedhjet u bënë edhe nga demokratët, të cilët u shprehën kundër për shumë parregullsi të vëna re. Humbja e PS-së erdhi edhe për pasojë të ndarjes së votave, pasi në vitin 2004 nga PS-ja u largua një grup deputetësh, të cilët formuan Lëvizjen Socialiste për Integrim. Pas humbjes Fatos Nano dha dorëheqjen nga posti i kreut të PS-së.

Zgjedhjet e vitit 2009

Zgjedhjet e fundit parlamentare, nga i cili do të dalë Parlamenti i ri shqiptar, u zhvilluan në datë 28 qershor 2009. Kontestimet më të mëdha ndaj këtij procesi janë artikuluar nga Partia Socialiste, e cila pretendon se në shumë qendra votimi janë bërë manipulime nga Partia Demokratike dhe segmente të caktuara të shtetit. Socialistët kanë ngritur zërin gjatë muajve të fundit në lidhje me procesin e pajisjes së qytetarëve me kartat e identitetit. Sipas tyre, qeveria qëllimisht nuk i pajisi qytetarët e zonave të ndryshme, pasi njiheshin si mbështetës së saj. PS-ja ka ngritur zërin për bllokim dhe tendenca manipulimi, sidomos të disa qendra votimi që i përkasin Qarkut të Fierit. PS-ja ka deklaruar se, nëse nuk do t’i njihet mandati i nëntë në këtë qark, atëherë do të organizojë protesta qytetare. Ndërkohë sipas rezultateve paraprake PD-ja është fituese e zgjedhjeve parlamentare. Gjithashtu është bërë publike krijimi i qeverisë së ardhshme mbi bazën e një koalicioni me LSI-së, parti që vjen nga e majta politike shqiptare.

Vlerësimet e ODIHR-it

Procesi i numërimin e votave rezultoi negativ

Në raportin e fundit të ODIHR-it për zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit shprehen kritikat ndaj procesit të numërimit të votave. Vëzhguesit ndërkombëtar në raportin e ndërmjetëm, që i përket periudhës 29 qershor deri më 7 korrik, fokusohen në procesin e administrimit të votave dhe nxjerrjen e rezultateve të zgjedhjeve. Vëzhguesit theksojnë se metodat moderne të numërimit të votave nuk ndihmuan në shtimin e transparencës, madje krijuan dyshime te partitë e vogla. ODIHR-i në raportin e tij thotë se procesi i numërimit të votave ka pasur shumë defekte, të cilat janë vërejtur në qendrat e numërimit të votave, ku në 22 nga 66 qendra procesi është zhvilluar keq ose shumë keq.

Vërejtjet

Në 22 qendra numërimi nga 66 të tilla procesi ishte keq ose shumë keq.

Probleme procedurale nga mungesa e udhëzimeve dhe trajnimit të nevojshëm.

KQZ-ja ka trajtuar kërkesat ankimore në mënyrë jo gjithmonë të njëllojtë.

KQZ-ja shpesh zgjodhi të mos ndërhyjë në rastet kur gjatë numërimit të votave kishte probleme.

Sistemi i ri elektronik i monitorimit nuk e ka rritur shumë transparencën e procesit, pasi nuk ishte gjithmonë e mundur të shihej se për cilin subjekt ishte votuar.

Partitë filluan të ndërhynin më shumë në procesin e numërimit, kur rezultatet paraprake tregonin diferenca të vogla.

Numërimi i votave u zvarrit dhe u karakterizua nga nivele të larta mosbesimi mes partive politike në të gjitha nivelet e administratës zgjedhore.

Vonesat në numërim provokuan tension mes partive, sidomos aty ku rezultatet ishin ose dukej sikur ishin të afërta.

Në disa raste numërimi i votave u bllokua përkohësisht.

Ndërhyrjet e vëzhguesve të partive dhe kandidatëve në procesin e numërimit krijuan shpesh shpërqendrim nga procesi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›