E Diel, 1 Nëntor 2026

Vlerësime nga klasa politike kosovare

13/07/2009  Aleanca PD-LSI

Klasa politike kosovare ka përshëndetur koalicionin mes Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim. Sipas saj, një aleancë e tillë ka qenë mundësia e vetme për Shqipërinë dhe, për më tepër, është një veprim i zakonshëm, i cili do të arrijë suksese gjatë mandatit katërvjeçar të qeverisjes. “Unë kam thënë edhe para se të zhvilloheshin zgjedhjet se e mundshmja e madhe është që LSI-ja dhe PD-ja do të bëjnë qeverinë. Në këtë rast interesat e përbashkëta mes PD- së dhe LSI- së janë bërë bashkë, janë të njëjta dhe kanë bërë një marrëveshje që unë nuk e shoh si një tragjedi apo katastrofë, ashtu siç mund ta trajtojë dikush”, - u shpreh Xhavit Haliti, anëtar i Kryesisë së Parlamentit të Kosovës. Gjithashtu kryetari i grupit parlamentar të LDK-së, Lutfi Haziri, ndalur në këtë aleancë vlerësoi se “vota e qytetarëve të Shqipërisë diktoi një koalicion dhe besoj se ka qenë e domosdoshme për të ruajtur stabilitetin e për të mos thelluar krizën, për të mos dërguar vendin në zgjedhje të jashtëzakonshme. Është gjetja e një formule që koalicioni i djathtë është dashur ta zgjerojë qeverisjen dhe në këtë rrafsh partneri i vetëm do të thosha ka qenë Ilir Meta”. Po kështu dhe shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Ardian Gjini, vuri në dukje se “ne e kemi shprehur kënaqësinë tonë që Partia Demokratike e Sali Berishës i ka fituar zgjedhjet në Shqipëri, po ashtu e kemi shprehur edhe kënaqësinë tonë që në këto rrethana PD-ja ka arritur një marrëveshje me LSI-në, mendoj se janë dy forca serioze politike të përbëra prej njerëzve që e duan vendin”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›