E Shtunë, 31 Tetor 2026

Debate të ashpra për varrezat e automjeteve

Këta të fundit thonë se largimi i automjete nga anët e rrugëve bëhet për të pasur një mjedis të pastër, ndërsa opozita pretendon se makinat e vjetra do të merren për shitje për skrap.

Opozita thotë se akti normativ  është në kundërshtim me Kushtetutën pasi nuk i përgjigjet tre elementeve nevoja, urgjenca dhe marrja e masave të domosdoshme.

Deputeti, Blendi Klosi, tha se me këtë draft po përgatitet një aferë korrupsioni. “Nuk janë vetëm varrezat e makinave që ndodhin rrugët që dëmtojnë mjedisin. Çfarë po bën qeveria për të hequr guroret, bizneset që janë buzë rrugëve, për të rregulluar akset rrugore, pikat kryesore ku kemi pikat turistike. Në Durrës, te Kthesa e Plepave, vetëm plepa nuk ka. Mund të ketë çfarë do lloj mbetje urbane, mund të shiten çdo gjë, por nuk ka plepa. Te Ura e Dajlanit, edhe atje zona e mbingarkuar. Pastrojini. Përgjatë autostradës Tepelenë- Gjirokastër e ndërtuar nga qeveria greke nuk ka një pikë ndotjeje, nuk ka një pikë karburanti, Të marrim autostradën Tiranë-Durës, e ndërtuar nga qeveria shqiptare, ka 60 pika karburanti”, tha Klosi.

Ai deklaroi se qeveri ka “zero kontroll mbi realitetin e rrugëve”, duke shtuar se po ngrihet një “industri monopol”. Për deputetin, Armando Subashi tha se konfiskimi i këtyre mjeteve nuk mund të bëhet “pa iu nënshtruar një procesi gjyqësor”. “Akti nuk do zgjidhë problemet mjedisore pasi nuk do mbyllen varrezat por do zhvendosen më tej, më afër zonave të banuara. Ai nxjerr në pah korrupsionin e radhës, dhe nuk zgjidh problemin përfundimisht”, ka thënë Subashi.

Por, deputetët e mazhorancës e kanë mbrojtur draftin, duke nënvizuar se ai i shpërben mbrojtjes së mjedisit. Deputeti Tritan Shehu u shpreh se akti normativ është mjaft i rëndësishëm për mbrojtjen e mjedisit dhe ftoi opozitën ta votojnë.

Deputeti socialist Besnik Baraj kërkoi që akti të mos kalojë në parlament në formën ekzistuese dhe pa u diskutuar me grupet e interesit.

 "Ky ligj duhet të ishte i plotë, të jepte dhe kriteret e zonës ku do vendosen mbetjet e makinave, veçanërisht lidhur me distancat jo vetëm nga rruga nacionale por edhe larg burimeve ujore sipërfaqësore e nëntokësore, larg zonave të mbrojtura etj. Formulime të tilla të ligjeve tregon se ne jemi të sipërfaqshëm, i bëjmë gjerat sa për të kaluar radhën, nuk na intereson thelbi por fasada. E kjo konfirmohet qartë në faktin se ndërsa shqetësohemi me të drejtë për peizazhin e varrezave të makinave, nuk shqetësohemi edhe për aspekte të tjera. Nuk beson njeri se është peizazhi që i shqetëson qeveritarët pasi nuk do të lejohesh deformimi kriminal i peizazheve të kodrave e të maleve të shkaktuara nga aktivitetet e fabrikave të çimentos, që janë pranë rrugëve nacionale e që dallohen jo vetëm kur je pranë por edhe kur je 10000 m lart në ajër. E çfarë është bërë për rehabilitimin e këtyre peizazheve? Përkundrazi, si kuçedra këto aktivitete vazhdojnë të hanë e deformojnë peizazhet e bukura si ato të Krujës etj. Mënyra ku janë vendosur ato është shembulli që do merrte çmim të parë se si mund të ndërtohet keq një aktivitet me impakt mjedisor negativ”, deklaroi Baraj. /Start/

                                                                                             2011-09-29 16:01
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›