E Shtunë, 31 Tetor 2026

Debatet PS-PD shtyjnë akreditimin e vëzhguesve vendorë

Autori i Lajmit: red.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk ka arritur të miratojë listën e vëzhguesve vendorë ku bënin pjesë disa organizata joqeveritare, për shkak të debateve mes përfaqësuesve socialistë dhe demokratë në Komision. Mosmarrëveshjet mes përfaqësuesve ligjor të dy partive të mëdha kanë nisur pikërisht në përfshirjen ose jo të “Mjaft” në vëzhgim, OJQ ku Erion Veliaj figuronte ende si drejtor i bordit ekzekutiv, përveç si kandidat për deputet. Kjo ka qenë dhe një nga argumentet kryesore të kontestimit të përdorur nga përfaqësuesi demokrat në KQZ, Njazi Kosovrasti. 7 organizata jo qeveritare, në formën e një koalicioni monitorues, drejtuar nga Greta Meta kishin depozituar në KQZ kërkesën për vëzhgimin e zgjedhjeve. Por vetëm 4 prej tyre ekzistonin të regjistruar në gjykatë, ndërkohë që pretendimi i demokratëve ishte se ky formacion nuk njihej ligjërisht. Pikërisht mungesa e një dokumentacioni të saktë të tyre ishte një tjetër argument kundërshtues i përdorur nga Kosovrasti. “Nuk më vjen mirë që çështjet ligjore të anashkalohen. Ka detyrime ligjore që janë miratuar nga KQZ. Me udhëzim të posaçëm KQZ mund të bëjë regjistrimin e këtyre vëzhguesve vetëm pas një kërkesë nga drejtuesit e tyre dhe vërtetim nga gjykata që vërteton ekzistencën e këtij subjekti”, - tha ai ndërsa shtoi se në KQZ ka ardhur vetëm një kërkesë nga Greta Meta e cila është prezantuar si përfaqësuese e Forumit Demokratik dhe jo e Koalicionit të Zgjedhësve Vendorë. “për më tepër nuk ka një marrëveshje që vërteton bashkëpunimin e tyre”, - tha Kosovrasti. Por këto argumente janë kundërshtuar nga përfaqësuesi socialist në KQZ, Genci Gjonçaj. Ai tha në udhëzimin e KQZ-së nuk ka asnjë pikë që pengon regjistrimin e këtij koalicioni. Edhe përfaqësuesi i KQZ-së, Ilirian Muho e konsideroi si tepruar reagimin e Kosovrastit duke pohuar se përfaqësuesi demokrat nuk ka pasur të njëjtin sensibilizim për grupet e tjera të vëzhguesve të regjistruar. Drejtoresha Ekzekutive e Shoqatës për Kulturë Demokratike kishte paraqitur një kërkesë për regjistrimin e Koalicionit të Vëzhguesve vendorë ku bënin pjesë dhe OJF-të, Gruaja për një Veprim Global, Lëvizja Mjaft si dhe Shoqata për gratë dhe fëmijët Kombinat. Këto organizma kishin paraqitur dokumentacionin e tyre por mungonte një marrëveshje që të vërtetonte bashkëpunimin e tyre. Pas debateve KQZ vendosi shtyrjen e vendimit për miratimin e Vëzhguesve Vendorë me argumentin për plotësim legjislacioni. Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë ka paraqitur një kërkesë për akreditimin e 174 vëzhguesve afatgjatë dhe 2500 vëzhguesve afatshkurtër. Me të njëjtin argument u shty dje dhe miratimi i vendimit për miratimin e listës së vëzhguesve të Forumit Ndërkombëtar për të Drejtat e Njeriut në Shqipëri.

Ky lajm është publikuar: 06/06/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›