E Diel, 1 Nëntor 2026

Vizat, BE: “Vendimi për liberalizimin ndoshta në korrik”

Autori i Lajmit: Plarent Shehu
Liberalizimi

Bashkimi Evropian ka diskutuar dje në rang ministrash të Drejtësisë dhe të Brendshëm të vendeve anëtare të BE-së, duke dalë në një konkluzion pas shqyrtimit të raportit të paraqitur nga Drejtori për Zgjerim në Këshillin Evropian, Zhak Barrot, se pas shqyrtimit të raportit dhe pas vendimit që do të merret nga ministrat e Jashtëm të BE-së në mesin e muajit qershor, një vendim për heqjen e vizave do të mund të merret vetëm në korrik të këtij viti. Sipas burimeve shumë të besueshme nga Brukseli dhe deklaratave të Drejtorit Ekzekutiv për zgjerim në BE, Zhak Barrot, Shqipëria nuk do të përfitojë nga liberalizimi i regjimit të vizave në zonën Shengen , ndërsa për Maqedoninë, Serbinë dhe Malin e Zi është e sigurt heqja e vizave në korrik. Një zyrtar aktual çek i BE-së u tha mediave se, edhe pse raporti do t u paraqitet ministrave të BE-së, nuk është planifikuar një debat mbi raportin, edhe pse disa shkëmbime të mendimeve mund të zhvillohen. Barrot është i ngarkuari që do t u sigurojë ministrave të BE-së shpjegime nga gjetjet e bëra nga ekspertët. Zëdhënësja e Barrot, Mishel Çerkone, deklaroi për agjencinë e lajmeve Beta se raporti i KE-së ishte dorëzuar për të gjitha qeveritë anëtare të BE-së më 18 maj, por ministrave përkatës do t u duhet më shumë kohë për ta studiuar atë me detaje. Disa grupe pune, duke përfshirë ambasadorët e BE-së, do të studiojnë qindra faqe raport-këshillat e ministrave të Brendshëm dhe të Drejtësisë në mënyrën më të përshtatshme për të arritur një vendim. Menjëherë pas paraqitjes së raportit të vendeve anëtare të BE, Barrot tha se ai ka propozuar heqjen e regjimit të vizave “sa më shpejt të jetë e mundur ... për qytetarët e atyre vendeve të Ballkanit Perëndimor që kanë përmbushur kriteret e përcaktuara në programin e masave të hartuara”. Në një deklaratë të përgjithshme pritet të miratohet skema e liberalizimit të vizave për vendet e Ballkanit Perëndimor në një takim të ministrave të Jashtëm të BE-së, i cili është planifikuar për në mes të qershorit. Ky hap shtesë mund të vonojë procesin deri në korrik. Propozimi i komisionit, i cili pas takimit në qershor do të përfshijë komentet e bëra nga vendet anëtare të BE, do të ndahen me qeveritë e Ballkanit Perëndimor ka shumë të ngjarë në korrik, me vendim përfundimtar që pritet në vjeshtë. Ministrja e Drejtësisë e Sllovenisë, Katerina Kresal, deklaroi se do të jetë vërtet reale që nga 1 janari i vitit 2010, qytetarët e vendeve të Ballkanit Perëndimor të udhëtojnë pa viza në vendet e BE-së. “Sigurisht, do të jetë reale që nga 1 janari i vitit të ardhshëm, në zonën Shengen të udhëtojnë pa viza qytetarët e vendeve të Ballkanit Perëndimor që i plotësojnë të gjitha kushtet e nevojshme”,- ka deklaruar ministrja sllovene. Duke u bazuar në vlerësimet e para të BE-së, ajo ka nënvizuar se Maqedonia ka plotësuar të gjitha kushtet, Mali i Zi është në rrugë të mirë që të bëjë atë, ndërsa në rastin e Serbisë, sipas saj, janë paraqitur probleme të caktuara teknike.

Ky lajm është publikuar: 06/06/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›