Energjia e bizneseve, pesë firma të mëdha kundër ligjit
Sipas draftit, kompanitë e mëdha duhet ta sigurojnë vetë energjinë elektrike.
“Seament Albania”, “ACR”, “Kurum”, “Titan” dhe “ARMO” shprehen se
bizneset e tyre do gjenden para një situate të vështirë, çka mund të sjellë dhe mbylljen e aktivitetit te tyre.
Bizneset e mëdha shprehen kundër nismës së qeverisë me anë të së cilës kompanitë e mëdha detyrohen ta gjejnë vetë energjinë elektrike. Të pranishëm dje në Komisionin e Veprimtarisë Prodhuese, 5 kompani të mëdha që operojnë në vendin tonë në fusha të ndryshme, si “Seament Albania”, “ACR”, “Korum”, “Titan” dhe “ARMO”, janë shprehur dje të shqetësuara për projektligjin e paraqitur nga qeveria, duke paralajmëruar se, në rast se ai do të hyjë në fuqi në janar, sikundër dhe parashikohet në draft, atëherë bizneset e tyre do gjenden para një situate të vështirë çka mund të sjellë dhe mbylljen e tyre. Por më shumë sesa përmbajtjen e projektligjit, Komisioni i Sigurisë ka debatuar për mënyrën sesi këto 5 kompani i janë drejtuar Kuvendit, për t’u dëgjuar në një seancë të posaçme.
Debati
Ndërsa kishte rënë dakord parimisht që t’i dëgjonte 5 kompanitë që kishin paraqitur interes për të qenë të pranishme në një mbledhje të posaçme, Komisioni ka debatuar gjatë dhe në disa raste dhe me tone të larta për mënyrën sesi ishte paraqitur kërkesa e këtyre bizneseve. Debatin e ka hapur nënkryetari socialist Shalsi, i cili ka kërkuar shpjegime pse kërkesa e 5 kompanive nuk i ishte vënë dhe atij në dispozicion, ndërsa ka akuzuar kreun e komisionit, Gjana, se ka fshehur shkresat. Por, sipas Gjanës, letra për të cilën kërkonte shpjegim Shalsi, nuk ishte sjellë konform rregullave parlamentare, duke aluduar se atë e kishte shkruar dhe paraqitur në Kuvend deputeti socialist Taulant Balla. Kjo deklaratë ka hapur një debat të gjerë, i cili është shoqëruar edhe me ofendime mes deputetëve të të dyja palëve. Kështu, deputeti Besnik Bare, ndërsa e ka quajtur të pashpjegueshëm faktin që Kuvendi debaton për praninë e grupeve të interesit, ka deklaruar se kjo tregon se Parlamenti është në nivel mediokër. Cilësim që nuk është pranuar nga deputetët e mazhorancës, të cilët nuk kanë ngurruar t’ia kthejnë Bares me të njëjtën monedhë.
Kompanitë
Pas një debati të gjatë, përfaqësuesit e pesë kompanive kanë zënë vend në karriget e të ftuarve dhe me radhë kanë shprehur pretendimet e tyre lidhur me projektligjin e paraqitur nga qeveria. Sipas “Seament Albania”, nisma e paraqitur është diskriminuese për bizneset, pasi, së pari, ai i gjen ato të papërgatitura dhe së dyti, situata në vend lë pak mundësi për të gjetur mundësi për të blerë vetë energjinë. “Ne kërkojmë mirëkuptimin e komisionit për të bërë të mundur që të rishikojmë afatet, pasi në këtë mënyrë biznesi që unë drejtoj mund të gjendet para një situate aspak komode, çka mund të sjellë dhe mbylljen e tij”, - tha drejtuesi i “Seament Albania”. Ndërkohë që përfaqësuesi i “Kurum”, duke ngritur të njëjtin shqetësim, ka kërkuar nga Komisioni që të ndërhyjë për të zhvendosur të paktën afatin e zbatimit të pikës që detyron bizneset që ta gjejnë vetë tregun dhe mënyrën e blerjes së energjisë. Në përfundim, Komisioni, duke e konsideruar të pamundur rikthimin e projektligjit, ka mundur t’u shprehë këtyre pesë kompanive se do shohin një zgjidhje të mundshme gjatë diskutimit në seancë.
Debati, Gjana-Bare akuza për mediokritet
Eduart Shalsi: Në dorë më ka rënë një letër ku 5 kompani të fuqishme në vend kërkojnë të dëgjohen në një seancë të posaçme për projektligjin që ka të bëjë me energjinë elektrike. Nuk e di pse mua si nënkryetar komisioni nuk më është vënë në dispozicion.
Jemin Gjana: Mirë është që, ata që vijnë, të vijnë të pavarur dhe jo të nxitur nga ju. Unë e shikoj si bëhen shkresat dhe duket qartë që ato nuk i bëjnë vetë grupet e interesit që kërkohen të dëgjohen, por nga deputetë dhe parti të ndryshme.
Shalsi: Mesa duket, ju nuk jeni në dijeni për një letër që i është dërguar kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, për seancë dëgjimore që në datën 15 nëntor. A keni ju dijeni për këtë kërkesë?
Gjana: Letra nuk më drejtohet mua, por Topallit, por nuk është Topalli ajo që na imponon ne se kë do dëgjojmë në seancë, apo kë jo. Ne këtë e marrim me vendim vetë. Ato letra që ju nxirrni këtu nuk janë për mua, nuk më ka ardhur gjë në komision. Megjithatë, unë kam vendosur që të votojmë sot kërkesën e tyre dhe t’i pranojmë t’i dëgjojmë, edhe pse ligji është diskutuar dhe kjo që po bëjmë është në kundërshtim me rregulloren.
Shalsi: Më thuaj pse e keni fshehur këtë letër. Je në dijeni apo jo të saj?
Gjana: Po, jam në dijeni, por ajo është kërkesë e bërë nga Taulant Balla, ai e ka fut në Kuvend. Ndaj nuk na imponoheni dot. S’keni pse bëni skena të tilla, kur e dini shumë mirë që, nëse një pjesë e komisionit kërkon që të dëgjohen grupet e interesit, ata do të dëgjohen. Letra ka ardhur në datë 15 nëntor, ndërkohë që ligji është diskutuar që në datë 13.
Shalsi: Ligji kaloi në 13, sepse na thanë në mirëbesim, ndaj nuk është normale që të fshihni letrat.
Gjana: Letra është pa emra të personave që e dërgojnë dhe as me vulat respektive të kompanive. Ku i ka vulat, nuk mund të jetë e rregullt.
Shalsi: Po ça rëndësie ka nëse i ka vulat apo jo, ata janë komani dhe kërkohen të dëgjohen në rolin e klientit të kualifikuar.
Gjana: Kjo letër nuk ka asnjë vulë, ndaj të lutem të jemi korrekt dhe të mos e kthejmë në taulantizëm këtu.
Ardian Turku: Ky Kuvend nuk mund të mashtrohet me kërkesa të tilla, që mund të jenë iniciativa të tilla të një personi. Ne s’kemi kohë të tepërt për t’u marrë me këto gjëra.
Besnik Bare: Me këtë qëndrim që po mbani, po tregoni se Parlamenti nuk e do shoqërinë civile. Ky është mediokritet.
Gjana: Mbaj gojën kur flet dhe mos e ço ashtu. Mediokër je ti që s’ke nga të vesh.
Bare: Të gresh zërin nuk do të thotë se ke të drejtë. Përsa i përket mediokritetit, edhe unë notoj në këtë mediokritet që më rrethon.
Gjana: Më mediokër je ti që u thua kolegëve të tu mediokër. Unë ndryshe nga ju vërtet s’kam pas mundësi të shkoj në shkolla të mira, por kam patur vullnetin që të mësoj dhe të dal shkëlqyeshëm, të mësoj gjuhë të huaja dhe të jem këtu ku jam, ndaj nuk mund të pranoj të më thotë kush mediokër.
Bare: E po unë në gjuhën tuaj nuk flas dot. Ta bëj fytyrën si këpuca, s’e them dot, kjo nuk është mediokritet? Të duket intelektuale ty kjo?